Greva e Sindikatës së Transportit, e cila prej dy javësh, ka paralizuar sistemin hekurudhor, po i shkakton shtetit shqiptar një dëm prej miliona lekësh. Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave e ka cilësuar të paligjshme grevën e punonjësve të saj dhe për këtë arsye e ka paditur Sindikatën e Transportit në Gjykatën e Durrësit, ku sot është zhvilluar dhe seanca e parë gjyqësore. Por, megjithë këtë, punonjësit e hekurudhave, vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre, ku më kryesorja është paga e 13-ë.
“Greva do të vazhdojë pa afat, derisa të zgjidhen këto probleme. Dëmet në hekurudhë janë me të vërtetë alarmuese, për të vetmen arsye se hekurudha shqiptare ka lidhje me firmat private, me bizneset dhe kështu që dëmet nuk vijnë nga punëtorët e hekurudhës shqiptare, por vijnë nga pushtetarët, nga kërkesa që ka rënë në vesh të shurdhët.”
Sindikalistët kanë deklaruar se do të protestojnë ditën e enjte në qytetin e Durrësit dhe të premten në Tiranë. Megjithatë, nëse greva është e ligjshme apo jo, këtë do ta vendosë Gjykata e Durrësit në seancën gjyqësore që do të zhvillohet të hënën e ardhshme./tvklan.al