Momenti kur 23 vjeçari Azgan Mërnica, autori i vrasjes së policit në Fier, përcillet nga familjarët është padyshim një skenë që ngre shumë pikëpyetje. Përpos dhembshurisë së një nëne apo çdo të afërmi të tij për atë që e pret, a duhet të kishte një qëndrim më dinjitoz prej tyre pas një akti të pajustifikueshëm?
Teksa Mërnica futet në makinë, për t’iu dorëzuar më pas forcave RENEA, dëgjohen fraza të tipit:
“O Azgan, vdeksha!”, “Azgannn, Zoti para!”…
Njëri prej tyre madje i jep një porosi: Ej o Azgan, të luajti njeri atje brenda…Ore!
Vrasësi i 28 vjeçarit Novruz Cenalia tund kokën si për t’i thënë: Ça e vret mendjen! Ndërkohë shoferi i makinës shprehet: Është në besën time!
E në fakt me aq sa çdokush mund të lexojë nga gjuha e trupit, Azgani nuk shfaq asnjë lloj pendese për krimin që ka kryer. Ai buzëqesh krejtësisht i qetë…
Në 48 orë ku opinioni publik u trondit me ngjarjen, familjarë, kolegë e të afërm i dhanë me dhimbje lamtumirën e fundit Novruzit, është e trishtë të mos shihet të paktën një peshë faji te ai që shtiu me armë për motive që me sa dihet deri më tani “janë absurde”.
E.D/tvklan.al