Dorëzon të tjerë çelësa të shtëpive të rindërtuara
Në ditën e fundit të vitit 2020, kryetari i Bashkisë së Tiranës i dorëzoi çelësat e banesës së re familjes së Bajram Karajt në Baldushk.
“Sot është dita e fundit e vitit, por jo dita e fundit e punëve për Tiranën tonë. I urojmë Bajramit dhe bashkëshortes së tij, gëzuar dhe vetëm të mira për vitin që vjen! Viti që iku ishte i jashtëzakonshëm, shumë i vështirë, një vit ku u rrëzuam nga tërmeti dhe pandemia, por u ringritëm më të fortë. Nesër do të gdhihemi për punë të reja, do të vazhdojmë me strehimin e familjeve të tjera”.
Për shkak të situatës nga COVID, kryebashkiaku Erion Veliaj bëri një apel për qytetarët për të mos dalë në sheshe dhe rrugë për të pritur ndërrimin e viteve.
“Pas të mbarojë vaksinimi do të festojmë të gjithë, por sot nuk është koha për të dalë në shesh. Bashkia do të sjellë festën në të gjitha njësitë e Tiranës, ku çdo fëmijë mund të shohë fishekzjarrët nga oborri i shtëpisë, ballkoni apo dritarja. Shpresoj shumë që të kemi një natë të qetë, pa incidente, por duke qenë se moti është i vështirë, duam që të paktën qytetarët të frenohen nga festimet e tepruara.
Nuk ka nevojë t’i japin makinës të dehur. Nuk ka nevojë të ndezim fishekzjarrë me mjete rrethanore. Është shumë, shumë e rëndësishme që secili të japë ndihmën e vet dhe të na kursejë telashet, ndërkohë që fokusohemi te telashet që na sjell natyra dhe sfidat që kemi me motin”.
Për Bashkinë e Tiranës , viti 2021 do të jetë viti i ringritjes.
Tv Klan