Mbi 5 orë kryebashkiaku i Tiranës ka dëshmuar në SPAK në lidhje me hetimin pasuror ndaj tij. Erion Veliaj ka dhënë shpjegime para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, çështje cila udhëhiqet nga prokurori i SPAK, Ols Dado. Pasi doli nga Prokuroria, Veliaj nuk pranoi të flasë për mediat. Ashtu siç paralajmëroi, sqarimet i dha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Deklaroi se është denoncuar nga një njeri anomin, që nuk ekziston.


“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një Nesti Angoni. Ky person nuk ekziston, e dimë çfarë emri dhe kulture linçuese përfaqëson ky stil. Është një kurth i sajuar. Jam sulmuar nga Nesti Angoni për të na kthyer pas te praktika e letrave anonime. Disa që nuk na mundin në betejë, kthehen te zanati i letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston, dihet se kë përfaqëson. Kryetari i bashkisë ka në zotërim regjistrin civil dhe verifikon që është një kurth. Kam qenë gjithmonë bashkëpunues.”

Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj zgjodhi një paralele me opozitën për të treguar se është i hapur ndaj hetimeve dhe jo të sulmojë Prokurorinë e Posaçme.

“Nuk hyj te ajo rracë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut, ‘SKAP’. Nuk kam bërë antiprotesta dhe nuk kam përdorur letra anonime. Nuk i them SPAK ‘plaç’ kur shkon me letra anonime. Këtu do të jemi, në maj do t’ju mundim, pavarësisht letrave anonime. Këtu do të jemi, në këtë sallë.”

Dëshmia e e Veliajt në SPAK vjen gati dy javë pas kontrollit që hetuesit e Byrosë Kombëtare ushtruan në banesën e tij. Po atë ditë, BKH kreu kontrolle dhe në biznesin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa dhe në banesën e të vëllait të tij, Arbër Veliaj. Kontrollet ndaj familjarëve të Veliajt u cilësuan të ligjshme nga gjykata pas ankimimit të tyre.

Klan News