Erion Veliaj është pyetur për rreth 7 orë nga SPAK për çështjen hetimore të inceneratorit të Tiranës. Ai ka deklaruar për mediat se ishte në rolin e bashkëpunëtorit ku dhe u ezaurua kjo çështje. Theksoi se kishte kërkuar vetë takimin me SPAK.
Erion Veliaj: Isha këtu si bashkëpunëtor. Kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Po diskutonim sot orën 9 me 10 pasi kishte edhe një seancë tjetër. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve. Gjithë shpjegimet e nevojshme për mënyrën se ku dallon projekti i IFC, i cili u rrëzua dhe ishte nisur nga ish-bashkia me 37 Euro toni. Ky proces ishte komplet gjë tjetër, e pa kërkuar nga investitor të tjerë dhe që nuk kishin lidhje me bashkinë e Tiranës dhe që nuk kishin lidhje me IFC.
U tregua i rezervuar për shkak të hetimit mbi ato që kishte deklaruar në SPAK.
Erion Veliaj: Të dy kolegët hetues më kërkuan që për çështje të hetimit dhe të sekretit hetimor duke qenë se bashkia ka dërguar dhe disa detaje të tjera, më kërkuan që të mos i ndaj me gazetarët disa detaje. Ndihem mirë që sot unë dhe ata që më duan ndihen të lehtësuar.
Ai vlerësoi punën e SPAK duke bërë thirrje për forcimin e institucioneve të drejtësisë.
Erion Veliaj: Falenderoj kolegët e SPAK. Një institucion me të cilën unë nuk kisha të bëja përpara, por që pas këtij takimi ma ka rritur bindjen se është bërë një investim për së mbari në Shqipëri. Është krijuar një institucion serioz. Isha me dy kolegë hetues profesionist të disiplinuar dhe unë them që e vetmja gjë që mund të bëjmë është të mos përgojojmë institucionet, por t’i forcojmë.
Paradite Erjon Veliaj ironizoi sulmet e opozitës ndaj tij. Në një postim në Whatsapp Story, kryebashkiaku i Tiranës postoi një nga shprehjet e famshme të Presidentit Amerikan, Frenklin D. Ruzvelt, i cili ka thënë “Më gjykoni nga reputacioni i armiqve që kam bërë”, shkruan Veliaj.
Klan News