Për punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe të institucioneve në varësi do të ketë rritje pagash. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, që sipas tij ato do të barazohen me të njëjtat punë e funksione si qeveria lokale dhe me atë qendrore.
“Ndryshon paga e specialistëve të bashkisë dhe merr një rritje prej 100 mijë Lekësh të vjetra të pagës për pozicion. Propozimet e paraqitura për rritjen e pagave shkojnë mesatarisht në një rritje prej 24.6% nga e cila përfitojnë 1 mijë e 659 punonjës.”
Nga rritja e pagave pritet të përfitojnë edhe punonjësit e Policisë Bashkiake dhe edukatoret.
“Nëse shtesa për vjetërinë në punë nga 2% për çdo vit deri në 25 do të jepet deri në 30 vjet dhe do të llogaritet mbi pagën e pozicionit. Policiëve bashkiakë dhe punonjësve mbështetës u jepet një shtesë për kushte pune mbi pagën bazë mujore të klasës përkatëse në masën 40 mijë Lekë të vjetra në muaj. Çdo edukatore të kalojë me rrogën bazë nga 550 në 580 mijë Lekë në muaj.”
Veliaj në fjalë e mbajtur në Këshillin Bashkiak e cilësoi si një superlajm vlerësimin nga Agjencia Europiane e Mjedisit, e cila e renditi Tiranën mes 10 kryeqyteteve evropiane me mbulimin më të madh urban me pemë, në bazë të popullsisë.
Erion Veliaj bëri të ditur edhe vendimin për transformimin e dy hapësirave sportive në kryeqytet për stadiumin “Selman Stërmasi” dhe Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
Tv Klan