Dëgjesa e tretë për buxhetin e Bashkisë së Tiranës, zhvilluar në Njësinë 13 u fokusua te inovacioni dhe turizmi. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se 2024 ka qenë një vit shumë sfidues për Tiranën.
“Në momentin kur të vijnë çdo vit 1 milionë turistë është një sfidë e përgjegjshmëri konstante. Bumi i turizmit në Tiranë është 12 muaj. Tirana është i vetmi qytet me turizëm 365 ditë.”
Kryebashkiaku, duke paraqitur projektet tha se qeveria ka hapur një konkurs paraprak për të pasur një qendër të madhe të panaireve në Farkë, për ata që duan të reklamojnë produkte industriale dhe ta trajtojnë Tiranën si pikën hyrëse të të gjitha panaireve në Ballkan.
Teksa tha se janë hapur aplikimet për kreditë e buta për familjet shqiptare në Tiranë, ai e cilësoi dhe si lajm të mirë të dytë atë të aboneve falas për pensionistët për transporti publik urban. Veliaj tha se numri i shkollave të reja të ndërtuara në 10 vitet e fundit do ta kalojë shifrën 50.
“Tani fillojnë edhe tre shkollat e reja, por duam të bëjmë të njëjtën gjë te Liqeni i Thatë, pranë Kopshtit Botanik, në një pronë të bashkisë. Nuk po flas për brenda Kopshtit Botanik sepse plas histeria, por bëhet fjalë në cep të Kopshtit Botanik, dhe një tjetër te shkolla “Dritëro Agolli”, që është midis pallateve te Parku Olimpik.”
Ai theksoi se një tjetër projekt i rëndësishëm është ai transformimit te akuadromit, për t’u kthyer në një hapësirë kursesh sportive.
Tv Klan