Veprat e mira ruajnë gjithnjë një vend të veçantë në zemër e mendje dhe kjo ka ndodhur me Bakushen. Ajo ndau me “Ka Një Mesazh Për Ty” kujtimet e saj nga puna si mami në Baldushk, ditët e mundimshme të shtatzënisë dhe mikpritjen e ndihmën e pakursyer të familjes së Minesë.
Për 57 vjet, Bakushja e ka kujtuar këtë çdo ditë dhe pengu i saj është që s’ka mundur më të ritakohet me ta për t’i falenderuar pasi ka jetuar në Itali e më vonë në Zvicër. Ajo e ka ftuar Minenë në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan pikërisht për këtë arsye. Më i habitshëm është fakti që edhe pse takimi i tyre ndodh thuajse pas gjashtë dekadash, Mineja e njeh menjëherë sikur koha të kishte ndalur në vend.
Mine: Uuu! O Zot!
Ardit Gjebrea: Kush është?
Mine: Edhe këtë e bëre ti?
Ardit Gjebrea: E njeh apo jo?
Mine: Po, po, e njoh.
Ardit Gjebrea: Ia kujton emrin?
Mine: Po.
Ardit Gjebrea: Si e ka?
Mine: Bakushe.
Ardit Gjebrea: Ua, e paparë! Pas 57 vitesh kujton Bakushen! Uau! Bakushe, të njohu!
Bakushe: Po, edhe unë e njoha!
Ardit Gjebrea: Jepja mesazhin të lutem, jepja.
Bakushe: Mine, Bakushja të ka kujtuar gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë me gjithë familjen tënde prandaj të kam sjellë këtu për të ta dhënë këtë mesazh për të mirat që më ke bërë, për respektin që më ke dhënë, për dashurinë që më ke dhënë, për mirësjelljen që më ke dhënë, për bukën që më ke dhënë…prandaj për mua kjo ardhja jote këtu më gëzon pa masë. Të kam quajtur si motër, pavarëissht se jam shumë më e madhe se ty, unë të quaj motër. Edhe babanë tënd po ashtu, nënën tënde e me gjithë xhajat e njerëzit që ke rreth e qark. Nuk kam fjalë të të them!
Pas përqafimit të tyre, teksa Mineja sheh Bakushen dhe shpreh se mirësia i lexohet në fytyrë, shton: “Ka vend për njerëzit e mirë. I bënte vend vetes”./tvklan.al