Lulzim Basha ka deklaruar se do të bëjnë rekurs ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për vulën e PD-së pasi e quan “të paligjshëm”. Në një prononcim për mediat, Lulzim Basha ka hedhur akuza ndaj kryedemokratit Sali Berisha për të cilin ka thënë se është aset i kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme. Gjatë fjalës së tij, Basha ka deklaruar se në çdo rast, ata do të jenë në zgjedhje.
Lulzim Basha: PD të kthehet aty ku duhet të jetë dhe vendi i PD të Shqipërisë është në vlerat me të cilat ka lindur. Nuk mundet PD-ja e Shqipërisë të jetë kundër SPAK-ut, kundër aleatëve tanë strategjikë. Beteja jonë e parë, përmes rekursit, PD të ju kthehet idealeve të demokratëve për të bërë një betejë të vërtetë me Ramën.
Berisha nuk është zgjidhja për të larguar Ramën, është aseti i vetëm i Ramës në zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi ynë sot është që përmes një rekursi, kërkojmë që PD të kthehet tek demokratët dhe tek vlerat. Vendimi është aty dhe nuk kemi marrë asnjë hap për sulme gjuhësore ndaj autorëve të këtij vendimi.
Jemi parti që kemi thënë prej fillimit që duam drejtësi. Do të ishte fatale nëse ky rekurs në drejtësi nuk shfrytëzohet plotësisht për të mos lejuar që padrejtësia në këtë vend të bëhet normë. Ne besojmë se shqiptarët dhe Shqipëria meriton më shumë dhe kemi një alternativë për t’i dhënë më shumë.
Ne besojmë se ligji është shkelur, vendimi do të ankimohet. Të gjitha opsionet që jep Kodi Zgjedhor janë në tavolinë, urimi ynë është që alternativa jonë që nuk merret me cic-mice, por me hallet e shqiptarëve, të garojë me logon e PD-së. Ne në çdo rast do të jemi në zgjedhje, alternativa do të jetë aty dhe shqiptarët do të kenë mundësinë që të zgjedhin.
Përçarja e demokratëve nuk është dhe as nuk ka qenë produkt i vendimeve tona, por i një njeriu që vendosi interesin personal. Nuk ka shqiptar apo Berisha të besojë se ai do të mundë Ramën në zgjedhjet e ardhshme.
/tvklan.al