“Vendosi: Mospranimin e ankimit ndaj vendimit datë 25 Mars 2022”.
Ky vendim i treshes së gjyqtarëve të Apelit me kryesuese Alma Ahmatin dhe anëtare Iliba Bezati e Elona Toro, i dha vulën, ose thënë ndryshe njohu si përfaqësues ligjor të Partisë Demokratike grupimin e rithemelimit të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Shkalla e Dytë la të paprekur vendimin e dhënë më 25 Mars të 2022 nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili miratoi ndryshimet statutore të Kuvendit kombëtar të PD-së mbajtur në 11 Dhjetor 2021 thirrur nga Komisioni i Rithemelimit, rrjedhimisht edhe të gjitha vendimet që u morën në Kuvend, shkarkimi i kryetarit në atë kohë Lulzim Bashës dhe ndryshimet në strukturën e partisë.
Përfaqësues të Lulzim Bashës, Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa pretenduan se Kuvendi dhe vendimet e dalë prej tij ishte në kundërshtim me ligjin.
Por Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia, si përfaqësues të grupimit të Berishës, renditën bazën ligjore për të gjithë veprimtarinë e Komisionit dhe më pas vendimmarrjeve të Kuvendit.
Çështja e vulës së Partisë Demokratike kaloi një kalvar gjyqësor që nga data 25 Mars 2022, kur një ankim i bërë nga Enkeled Alibeaj, ndaj vendimit të Shkallës së Parë pasoi 2 vite proces.
Në një vendim të mëparshëm Apeli kishte kthyer çështjen për rigjykim, por Gjykata e Lartë e prishi vendimin duke urdhëruar që të dilte vetë me një vendim përfundimtar.
Vendimi u mirëprit nga deputetët demokratë të pranishëm në sallë.
“Megjithëse në oazin e padrejtësisë, u gjetën gjyqtarë me integritet që i dhanë zë të vërtetës. Unë në emër të gjithë kolegëve iu bëj thirrje çdo demokrati të gënjyer, të mashtruar dhe të keqinformuar, kthehuni në shtëpinë tuaj se shtëpia juaj ka vend për çdo qytetar të këtij vendi që është kundër narkoregjimit”, tha Noka.
Vendimi i Apelit, i jep fund kështu një prej krizave më të thella që ka përjetuar Partia Demokratike prej themelimit të saj, krizë që nisi me vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar liderin historik, Sali Berisha, pas shpalljes se tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tv Klan