Eksperti italian, i thirrur në Shqipëri për të interpretuar analizën e ADN-së e të dyshuarit si vrasës i Mirit të Xhikes, ka hedhur poshtë interpretimin që i ka bërë këtyre analizave ekspertja shqiptare. Bruno Dallapiccola, prej 30 vjetësh profesor i gjenetikës në Universitetin e Sapienza në Romë, me kërkesë të mbrojtjes së të pandehurit Lavdërim Tufa, ka dhënë argumentet e tij para Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Ai hodhi poshtë deklaratën e disa javëve më parë të ekspertes së Ministrisë së Rendit, e cila ka thënë se nga analiza e njollës së gjakut në maskën e lënë në vendin e ngjarjes rezulton se ngjashmëria e ADN-së me atë të të pandehurit është 90%, kjo, sipas ekpertes, do të thotë se Tufa është autmatikisht autori i vrasjes së 31 marsit të vitit të kaluar, sepse probabiliteti që një tjetër person të ketë të njëjtën ngjashmëri është një në një miliardë.
Krejt i kundërt është shpjegimi i profesorit Dallapiccola. Sipas meje, tha eksperti, ngjashmëria 90% e ADN-së do të thotë se brenda kësaj salle gjyqi 10 persona të kenë të njëjtën ngjshmëri. Ngjashmëria 90% mes AND-së së kampionit të analizuar dhe asaj të të pandehurit nuk do të thotë se ai ka kryer krimin përveç rasteve kur ekzistojnë prova të tjera rrrethanore apo dëshmitarë që të kenë parë të pandehurin të qëllojë në drejtim të viktimës, tha profesori. Akti i ekspertimit ka pasqyruar vetëm analizën e njollës së gjakut dhe rrënjës së flokut që është dërguar në laborator.
Moskryerja e ekspertimit të fijes së flokut, një nga tri zërat kryesorë që nevojiten për një analizë të plotë të ADN-së, nuk mund të vërtetojë se Tufa është autori pretendon Dallapiccola. Seanca gjyqësore është shoqëruar me një debat të gjatë shkencor lidhur me analizën e ADN-së mes avokatit, prokurorit të çështjes dhe profesorit italian. /tvklan.al