Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinovic, foli për mediat, në prag të sfidës që Partizani do të luajë në Kupën e Shqipërisë ndaj Apolonisë.

Tekniku i të kuqve zbuloi mungesat, ndërsa shtuar këtu edhe largimet, tha se në protokoll për këtë takim ka 14 lojtarë.

“Në këtë moment jemi duke u përgatitur për ndeshjen e Kupës ndaj Apolonisë. Merkato mbetet e hapur deri në fund të muajit Janar. Historia dhe tradita e klubit Partizani ka treguar që di të reagojë dhe unë besoj që deri në mbyllje të merkatos së Janarit ne do të reagojmë. Sot na mbetet vetëm të përqendrohemi për ndeshjen që do të luajmë nesër.

E sigurt është mungesa e Domgjonit , Bintsouka po ashtu është i sëmurë. Kemi 14 lojtarë për protokollin e ndeshjes, do të plotësojmë grupin sot për të kryer procesin stërvitor me lojtarë të afruar nga akademia. Disa prej tyre do të jenë nesër pjesë e protokollit të ndeshjes. Përgatitemi për të luajtur ndaj një kundërshtari serioz siç është Apolonia”, tha ai.

I pyetur për merkaton dhe presionin e ditëve të fundit, Veselinovic tha se nuk ka njeri tjetër që e dëshiron titullin kampion më shumë se ai.

Ndër të tjera, trajneri kërkoi që çdokush t’i qëndrojë përgjegjësive të pozicionit që ka.

“Presion kam pasur çdo ditë, por është një vetëpresion. Nuk besoj se ka njeri më shumë se unë që do ta fitojë titullin me Partizanin, por ka hapa që do të ndërmerren. Dëshira është një gjë, por e kam shprehur edhe më parë që duhet të merret hap pas hapi. Më duket paska arrogante për të folur për pjesën e titullit pasi nesër kemi ndeshje. Përsa i përket pyetjes që janë larguar disa prej lojtarëve kryesor kjo tashmë është fakt pasi Rrapaj , Cara, Hadroj dhe Mba nuk janë më. Pa harruar edhe Koten që për të paktën një muaj nuk do ta kemi në dispozicion.

Unë jam nga ata persona që dua që çdokush t’i qëndrojë përgjegjësisë së pozicionit të vet. Në çdo organizatë qëndrojnë njerëz të cilët janë përgjegjës për pozicionet e veta dhe më duket jo korrekte që të futem në pjesën e dikujt tjetër. Nuk jam person që merrem me pjesën menaxheriale që të flas me futbollistët. Jam një trajner që merrem vetëm me pjesën e fushës, me metodikën, planifikimin dhe programimin e procesit stërvitor, selektimin e lojtarëve. Do kisha dashur shumë që të më konsideroni si një njeri serioz që po bën 55 vjeç dhe ka mendimet dhe qëndrimet e veta. Vetëm mundohem që të jem korrekt ndaj të gjithëve”, u shpreh Veselinovic.

Ndeshja Partizani-Apolonia, do të luhet ditën e Mërkurë, duke nisur nga ora 17:00. /tvklan.al