Kryeministri Edi Rama u shpreh para bashkatdhetarëve në Greqi ku ishte këtë të dielë se Shqipëria do të bëhet plotësisht e barabartë me vendet anëtare në BE.

“Ajo që nuk do harrohet kurrë dhe do mbetet gjithmonë e shënjuar në historinë tonë është që ne ngritëm për herë të dytë flamurin kombëtar dhe e ngritëm atje ku na kanë parë për një kohë të gjatë nga lart poshtë. Nuk ka më nga lart poshtë. Ne do të bëhemi plotësisht të barabartë”, tha Rama.

Ai theksoi se sot shqiptarët e kanë në dorë vetë fatin e tyre. Mirëpo nënvizoi po ashtu një kusht që nuk e negociohet me asnjë vend.  

“Ju siguroj që me të vërtetë më e mira për shqiptarët është vetëm përpara. Sot ne e kemi vetë në dorë fatin tonë. Deri dje nuk e kishim në dorë fatin tonë, e kishin të tjerët, ndërkohë çfarë patëm në dorë, bëmë vetëm dëm. Ndërkohë që sot kemi në dorë fatin tonë sepse të tjerët nuk na shohin më si qenie të kategorisë së dytë, por e kanë kuptuar që e kemi shumë seriozisht dhe që me ne ka një kusht që nuk e negociojmë. Mund të jenë më të pasur, mund të jenë më të mëdhenj, mund të kenë shumë gjëra, por me një gjë nuk negociohet: Respekt për respekt. Japim respekt, duam respekt! Ndryshe me ne nuk mund të shkohet më tutje pa u ndalur në çdo moment ku mungon respekti. Këtë e kemi sot siguruar, ndërkohë që për ta kthyer në një marrëdhënie të përgjithhershme dhe të padiskutueshme na duhet flamuri atje dhe na duhet t’i vetëm vulën njëherë e mirë kësaj historie me marrjen e statusit anëtar i BE-së”, tha Rama./tvklan.al