Tre ditë më parë, më 27 Tetor Kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë publike për punën e Shërbimit Informativ Kombëtar në lidhje me bandën e Habilajve.
Kryeministri u shpreh se nuk kishte marrë asnjë informacion zyrtar nga SHISH në lidhje me aktivitetin kriminal të bandës së Habilajve në Vlorë dhe implikimin e dyshuar të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Këtë pohim, kreu i qeverisë e bëri në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan gjatë intervistës me gazetarin Arjan Çani.
Pjesë nga intervista:
Arjan Çani:
Z.Kryeministër, a ju solli ndonjë informacion SHISH për Habilajt dhe lidhjen e tyre me Tahirin?
Kryeministri Edi Rama:
Së pari, më lejoni që t’ju kujtoj që çështjet e shërbimit sekret janë çështje të shërbimit sekret, por gjithsesi kësaj pyetje mund t’i jap përgjigje të prerë. Asnjë, asnjëherë nuk më ka sjellë një informacion zyrtar mbi asnjë lidhje të lidhje të ministrit të Brendshëm me asnjë grup tjetër kriminal.
Arjan Çani:
Pse e përcaktoni zyrtar? Po një informacion tjetër jo zyrtar?
Kryeministri Edi Rama:
Si, unë do të them në publik shërbimi informativ…tani nuk jemi në… Po përfshirë edhe SHISH-i.
Arjan Çani:
Jo?
Kryeministri Edi Rama:
Po sigurisht jo!
Ndërkohë, tre ditë pas kësaj deklarate vjen dorëheqja e kreut të SHISH Visho Ajazi Lika. Nuk dihet nëse dorëheqja e tij ka lidhje me dosjen e Habilajve dhe hetimin që po zhvillohet ndaj Saimir Tahirit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Kujtojmë se në përgjimet e dosjes së Anti-Mafies Italiane del edhe emri i Saimir Tahirit, që dyshohet si i implikuar në trafikun e drogës.
/tvklan.al