Lindi dhe Kristi janë fituesit e spektaklit “C’est la vie”, të cilët morën kupën puntatën e kaluar. Mbrëmja e sotme i atribuohet Post C’est la vie, ku pjesëmarrësit japin mendimet e tyre.

Një fitore ndryshe nga spektaklet e tjera muzikore, ku pas dhënies së çmimit nisin kritikat. Por jo në këtë rast. Lindi dhe Kristi janë vlerësuar, mbështetur dhe përgëzuar. Fitoren e tyre e mirëpritën të gjithë.

“U kënaqëm me atë pjesën që publiku e ka pëlqyer. U munduam me spontanitetin tonë që të jepnim një mesazh tek njerëzit që dy njerëz që konkurrojnë edhe mund të duhen, edhe mund të kenë miqësi. Garë është në fund të fundit, por të jemi njerëz në radhë të parë”

, tha Kristi.

Edhe Lindi u shpreh se gjatë gjithë spektaklit kanë pasur mbështetjen nga publiku, por edhe nga konkurrentët e tjerë.

Moderatorja Marina Vjollca rrëfeu një detaj të natës finale, kur i dha kupën Kristit.

“Në momentin që Kristi mori kupën, edhe unë isha duke e përqafuar, më thotë Kristi mua ‘me të vërtetë apo jeni duke luajtur me mua’. Për ty Kristi kaq e pabesueshme ishte”?

“E pabesueshme është dhe tani”

, reagoi Kristi. E në këtë moment, pavarësisht emocioneve të tij, Fatma e “Thumb” nuk hezitoi të bënte një batutë.

“Vetëm një gjë t’i them Kristit se akoma nuk po e beson. O Kristi ne prandaj jemi mbledhur këtu që të themi kjo ishte loja, se në fakt fituesi është Ori dhe Anxhela por donim të shikonim si do reagoje ti”. /tvklan.al