Venera dhe Lindi prezantojnë këngën e re në “E Diela Shqiptare”

“E Diela Shqiptare” solli pasditen e sotme gëzimin e festave, përmes disa çifteve më të njohur të showbizit. Ata ishin të ftuar në studio për të folur për festat, marrëdhëniet e tyre, por jo vetëm.

Venera Lumani dhe Lind Islami janë padyshim një nga çiftet më të dashur të showbizit. Ata njihen për ëmbëlsinë dhe pozitivitetin që përcjellin në çdo dalje të tyre publike dhe performance në skenë.

Periudha e festave është mjaft e ngarkuar me koncerte dhe e kanë të pamundur të pushojnë ose të gjenden pranë familjarëve të tyre në këto ditë.

Ata për herë të parë kanë prezantuar në studio dhe këngën e tyre më të fundit, e cila është realizuar në një kohë rekord, pikërisht pas përfundimit të “Këngës Magjike 2019”.

Lind Islami: Është një këngë që e kemi kompozuar shumë shpejt. Sapo mbaroi “Kënga Magjike”, e ndjemë se duhet të bëjmë edhe diçka bashkë.

Venera Lumani: Unë po i kërkoja Lindit që të më kompozonte diçka, sepse doja të këndoja për festat e fundvitit dhe ky bëri diçka shumë të bukur. Mirëpo u bë aq xheloz sa tha: Jo s’ta lë vetë ta këndosh, por do futem edhe unë aty. Ok hajde se po e bëjmë duet. Është karakteristikë e Lindit, gjithmonë që i del diçka shumë e bukur thotë: Është për ty, por po e bëjmë bashkë.

Për sa i përket titullit, ende nuk e kishin vendosur sepse në minutën e fundit kishin vendosur ta performonin për herë të parë në skenë./tvklan.al