Histori me zhurmues – Në vitin 1978 Shpresat e Shqipërisë fitojnë titullin kampionë të Ballkanit. Mirëpo kjo fitore do të fillonte me eleminimin në grup të ekipeve të Jugosllavisë dhe Greqisë.
Fillimisht u mbajt në Tiranë përballja mes Shpresave të Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, ndeshje e cila ishte e vlefshme për kampionatin Ballkanik. Asnjë nga skuadrat nuk mundi të shënonte duke bërë kështu që barazimi të kualifikonte ekipin tonë për në finalen e Kampionatit Ballkanik.
Dashnor Bajaziti, një nga protagonistët e asaj finaleje të madhe ishte i ftuar në emisionin “Histori me zhurmues” me autor dhe drejtues Pandi Laçon nga ku rrëfeu emocionet e shpalljes kampionë.
“Mobilizimi, vendosja dhe bindja për t’i dhënë Shqipërisë një kupë që kishte vite që nuk ishte marrë solli dhe rezultatin pozitiv. Më kujtohet që sapo filloi ndeshja mbështetësit kërkonin me çdo kusht të shënohej gol”, tregoi Bajaziti.
I pyetur për manipulimet në ndeshje në atë kohë, Bajaziti tregoi se kishte ndërhyrje nga partia dhe se sipas tij, lojtarët ishin thjeshtë të detyruar të zbatonin urdhrat.
“Në periudhën që unë kam luajtur ka patur kompromise, por nuk i bënim ne, i bënte partia. Nëse partia jepte udhëzime, ne ishim të detyruar ta zbatonim. Unë kam qenë pjesëmarrës në një ndër këto takime, ku më është dhënë orientimi që nga qendërsulmues do të luaja qendërmbrojtës në Durrës. Më është thënë: Sido që të jetë, Lokomotiva do të fitojë patjetër”, tregoi ish-futbollisti.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al