“Virtuozët”, ishte talent show i parë në Shqipëri i zhanrit klasik që solli për herë të parë në ekran talente vërtetë të spikatura në këtë fushë.
Nën drejtimin e sopranos së njohur Inva Mula, me regji të Bledar Laços dhe skenar të Pandi Laços, ky spektakël kurorëzoi edhe fituesit e edicionit të parë, të cilët ishin Laura Llozi, violiniste, fituese e kategorisë instrument dhe çmimit të madh të virtuozëve, Xhoiden Dervishi, tenor, fitues i kategorisë së kantos, si dhe Eskejda Allkja, fituese në kategorinë balet.
Ata ishin sot të ftuar në studion e “Rudina”, në Tv Klan, ku folën për rrugëtimin në këtë spektakël dhe emocionet pas përfundimit të tij.
“Do t’iu them një ngjarje të vogël që më ndodhi këtë fundjavë në Qerret. Një zonjë aty më tha se jo vetëm ajo, por i gjithë fshati ishte ulur dhe kishte parë “Virtuozët”. Dhe unë mendoj se me këtë frazë do ta mbyll suksesin që ne kemi patur. Ne me të rinjtë e talentuar kemi bërë diçka që nuk ishte bërë deri më sot dhe për këtë jam vërtetë krenare”,
tha Mula.
Po ashtu Laço tha se, edhe pse “Virtuozët” ishte një format ndryshe, arriti të korrë sukses.
“Virtuozët ishte një rrugë e re dhe ne ishim pak skeptikë lidhur me impaktin që mund të kishte një talent show i tillë. Por ne nuk e humbëm asnjëherë besimin pasi kishim Invën boshtin e ekipit. Por suksesin e këtij formati duhet ta vlerësojnë talentet e reja”,
tha Laço.
/ tvklan.al