Krerët e klerit katolik përcjellin mesazhet për Pashkët
Pas ceremonisë së “Udhës së Kryqit” që besimtarët Katolikë kremtuan mbrëmjen e së premtes, në prag të Pashkës Katolike, ata sot përmbyllën një tjetër rit për këtë festë të rëndësishme të kalendarit kristian, atë të bekimit të ushqimit.
Një ditë përpara drekës së Pashkës, besimtarët me shporta në duar, me ushqimin traditë që nuk duhet të mungojë në tryezë, bukën e pashkës dhe vezët me ngjyrë të kuqe, janë drejtuar në Katedralen Katolike për të marrë bekimin.
I njëjti ritual ka ndodhur me besimtarët katolikë në qytetin e Lezhës, të cilët që herët në mëngjes i janë drejtuar katedrales së Shën Nikollit.
Klerikët janë kujdesur që në këtë ditë që i paraprin asaj të Pashkës, të dërgojnë edhe mesazhet për të gjithë besimtarët. Edhe besimtarët në Shkodër bënë të njëtin rit atë të bekimit të ushqimeve ndërsa Monsinjor Angelo Massafra nga Shkodra u lut për më shumë paqe, dashuri dhe shpresë.
“Një mesazh shprese që na ndihmon ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe që na largon nga frika për të ardhmen”, tha Massafra.
Të njëjtin mesazh artikuloi edhe Dom Ernest Simoni, Kardinali shqiptar nga Vatikani, i cili përcolli urimin për sa më shumë paqe dhe dashuri.
Kremtimi i Pashkëve Katolike, do të nisë mesnatën e kësaj të shtune ku Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj do të drejtojë meshën e ringjalljes së Krishtit.
Tv Klan