Problemet me lejet e ndërtimit në kryeqytet do të vijojnë të mbajnë lart çmimet e apartamenteve edhe këtë vit.

Ndërtuesit përjashtojnë mundësinë e uljes së çmimeve të banesave dhe argumenti kryesor është oferta e kufizuar për shkak të lejeve të cunguara për ndërtim në Tiranë.

Maksi Muça: “Çmimet mund të ulen vetëm në njëfarë mase në qoftë se nuk do ketë blerje dhe atëherë ndërtuesi mund të pranojë që të bëjë njëfarë ulje për disa shitje sa të sigurojnë një formë për përfundimin po them të gjithë objektit të vet. Por njëherë për njëherë nuk po shohim tendencë për tu ulur çmimet. Në qoftë se do ketë kemi kaq ndërtime sa kemi, në qoftë se plani  rregullues nuk vazhdon të miratohet, në qoftë se KRRT-ja nuk vazhdon me mbledhjet, do ngelen po kaq ndërtime sa kemi sot aktualisht të reja çmimet do jenë pothuajse këto.”

Jashtë Tiranës, ndërtuesit po tregohen më elastikë duke shitur me çmime disi më të ulëta se më parë.

Maksi Muça: “Në rrethe mund të ketë një ulje më të ndjeshme pasi edhe shitja është më e paktët, kemi rrethe si Durrësi që ka numër të madh apartamentesh pa shitur, Vlora, Saranda dhe ulja mund të jetë diçka më e ndjeshme, pra mund të ketë një tolerim më të madh.”

Ndonëse kërkesa për banesa sa vjen e rritet, shoqata e ndërtuesve konstaton rënie të shitjeve me rreth 50 % në harkun kohor të një viti. Çmimet e larta dhe mungesa e financimit janë arsyet kryesore.

Maksi Muça: “Rënia e shitjeve është vënë re qysh në ato që kemi neve si treguesit kryesor janë periudha e gusht-shtatorit kur vijnë emigrantët, se janë emigrantët kryesisht ata që gjallërojnë tregun e shitjes ose periudhën e nëntor-dhjetor-janar. Ka rënie në masën mbi 50% të kërkesave për të bërë shitje.”

E jo vetëm që nuk pritet të ulen, por çmimet e banesave parashikohet të kenë rritje. Arsyeja?

Maksi Muça: “Tendencën për hyrje në Europë ne detyrimisht duhet të ndodhi ai fenomen që ndodhi në gjithë vendet që iu bashkuan Europës në këto tre vitet e fundit, që pati një rritje deri në arritjen e çmimeve që ka tregu europian dhe ne detyrimisht do kalojmë në ato çmime, do vijmë në ato çmime.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro