Gjashtë makina policie u dogjën në perëndim të Athinës në javën e tretë të protestave të dhunshme në Greqi. Mjetet ishin të parkuara në një akademi policie e cila u vu në shënjestrën e anarkistëve që u shpërndanë në mbarë kryeqytetin.

Përplasjet me policinë vazhduan edhe pranë godinës së universitetit Politeknik të Athinës, ku u hodhën gurë dhe bomba Molotov. Më herët një tubim anti racizmit në sheshin Sintagma u mbyll me përleshje mes policisë dhe protestuesve.

Trazirat nisën kur një grup protestuesish u përpoqën të vendosnin qese plehrash poshtë pemës së krishtlindjeve të vendosur në shesh. Kundër vrasjes së adoleshentit Aleksis Gregoropulos dy javë më parë janë mbajtur protesta edhe jashtë Greqisë.

4 të plagosur dhe dhjetëra të arrestuar është bilanci i manifestimeve në Hamburg. 15 persona iu vërsulën konsullatës greke në New York në shenjë proteste kundër brutalitetit të policisë në mbarë botën.

Për herë të parë si pasojë e protestave, socialisti Jorgos Papandreu ka kapërcyer në sondazhe kryeministrin Kostas Karamanlis. Sipas gazetës Kathimerini trazirat po i kushtojnë shtrenjtë qeverisë konservatore. /tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle