Varshava ka vendosur masa të rrepta sigurie përgjatë kufirit me Bjellorusinë. Ushtarët vijojnë të patrullojnë mes një krize emigracioni që filloi tre vjet më parë. Polonia dhe Bashkimi Evropian kanë akuzuar Bjellorusinë dhe Rusinë se po përpiqen të përhapin kaos që nga viti 2021 duke shtyrë emigrantët përtej kufirit në atë që Varshava e quan një “luftë hibride”. Minsku dhe Moska i kanë hedhur poshtë akuzat.
Gjeneralmajor Arkadiusz Szkutnik shprehet se masat e sigurisë po rezultojnë efektive me më pak përpjekje të paligjshme për të kaluar kufirin e regjistruar kohët e fundit. Megjithatë, ai tha se ka ende nevojë për vigjilencë.
“Situata ka ndryshuar në muajt e fundit. Aktualisht kemi më pak tentativa të paligjshme për të kaluar kufirin. Në ditët e fundit ka patur zero kalime të paligjshme”.
Operacioni i ri i sigurisë në rajonin verilindor të Podlasie ka qenë në fuqi që nga gushti dhe do të përfshijë deri në 17,000 ushtarë që mbështesin rojet kufitare të Polonisë deri më 31 janar 2025.
“Ne po përgatitemi për gjithçka duke përfshirë faktin nëse do të përdoreshin armët e zjarrit, sepse sot nuk dihet se kush do të provokoje. Unë preferoj të jem i përgatitur”.
Kryeministri polak Donald Tusk ka ndjekur një politikë të ashpër ndaj migracionit, një strategji që ka fituar mbështetje të gjerë publike.
Klan News