Shtyrja me 48 orë e grevës së doganierëve grekë, ka krijuar kaos dhe konfuzion në pikat e kalimit kufitar me vendin fqinj. Sipas lajmërimit të bërë disa ditë më parë, greva duhet të përfundonte mëngjesin e të mërkurës, por një njoftim i fundit i palës greke ka bërë të ditur se shteti fqinj do të mbajë të mbyllura edhe për dy ditë doganat me vendin tonë.
Në Kakavijë radha e automjeteve arriti në 1km gjatë orëve te paradites. Shumë prej tyre të ardhur nga rrethet e largëta janë kthyer mbrapsht. Ndërsa të tjerë janë detyruar të presin.
Qytetari 1: “Ne jemi që ditën e hënë këtu dhe ata na thanë akoma 48 orë, por edhe thanë pa afat.”
Gazetari 2: “Çfarë do të bëni?”
Qytetari: “Po çfarë do bëjmë , të ikim mbrapsht është rreshti atje në fund dhe s’do zemë radhë pastaj.”
Qytetari 2: “Çfarë do të bëjmë, do të presim se në Kosovë nuk mund të kthehem, vij nga Prishtina.”
Qytetari 3: “Që dje në drekë.”
Gazetari: “Do rrini do prisni?”
Qytetari 3: “Do presim se kemi punën. Ku do vemi.”
Përveç bllokimit të qarkullimit autoritetet doganore bëjnë fjalë për një dëm të madh ekonomik.
Llukan Simoni: “Kosto ditore në rast se mund ta quaj kështu që lidhet me të ardhurat tona është rreth 20-25 milion lekë të ardhura në ditë që i mungojnë arkës së shtetit. Nga mungesa e importeve dhe eksporteve të biznesit.”
Edhe në doganën e Kapshticës gjatë paradites kanë kaluar rreth 800 shtetas. Ndërkohë që jo të pakta kanë qenë makinat që janë kthyer mbrapsht.
E njëjta situatë ka qenë edhe në doganat e tre urave në Përmet, portit të Sarandës dhe Qafë Botës në Konispol.
Ndërkohë mësohet se të gjitha agjencitë e udhëtimit kanë anuluar linjat e transportit rrugor dhe atij detar me shtetin fqinj. Autoritetet greke kanë paralajmëruar se qeveria nuk do të zgjidhë kërkesat e tyre. Greva do të vazhdojë pa afat./tvklan.al
Gazetare: Njazi Sako/Daniela Zisi