Kur duhet më pak se 1 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare, procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti vijon me ritme të larta në të gjithë vendin. Në sportelet e njësive të aplikimit pranohen vetëm personat pa pasaportë, numri i të cilëve në rrethin e Vlorës është 32 mijë. Ndërkohë shifrat bëjnë fjalë për 6 mijë aplikime në ditë.
Qytetari 1: “I rregullt, i drejtë, jemi në kushtet optimale të saj.”
Qytetari 2: “Unë kam aplikuar për kartën e ID, ecën procesi normal.”
Autoritetet janë të bindura se pajisja me letërnjoftimet elektronike do të përfundojë brenda afateve, ndërkohë që u bëjnë thirrje qytetarëve të paraqiten pranë sporteleve për të tërhequr kartat e identitetit.
Dorotea Konomi: “Kemi arritur në një numër rreth 68 mijë aplikime në të gjithë rrethin e Vlorës duke parë numrin e madh të aplikimeve që kemi arritur, përqendruar gjithmonë dhe synimi ynë përparësi gjithmonë kanë patur personat pa pasaportë. Mendojmë që këtë proces do ta realizojmë 100% me sukses.
Në Elbasan fluksi në zyrat e aplikimit vijon të jetë i lartë. Nga 81 mijë shtetas pa pasaportë deri më tani në rang qarku kanë aplikuar rreth 70 mijë persona ose 90% e tyre.
Në bashkinë e Fushë Krujës kanë mbetur pa u pajisur me karta identiteti vetëm 700 shtetas. Me ritmet e aplikimit të vëna re ditët e fundit, procesi pritet të përfundojë përpara afateve të parashikuara.
Shkodra është një prej qarqeve ku procesi ka patur një ecuri të kënaqshme. Të 62 mijë qytetarët pa pasaportë kanë aplikuar për dokumentin e ri të identifikimit
Qytetare: “Një minutë dhe kreva punë, vetëm sa me verifikuar shenjat e gishtave.”
Qytetar: “Probleme nuk kishte, radhë nuk kishte, procesi shkoi shumë mirë.”
Edhe në këtë qark problem mbetet vetëm tërheqja e kartave për qytetarët. Deri më tani janë 48 mijë qytetarë që kanë marrë në dorë letërnjoftimin elektronik, ndërkohë që procesi pritet të përshpejtohet në ditët në vijim./tvklan.al