◾PS ka fituar 5 nga 6 bashkitë që zhvilluan zgjedhje më 6 Mars. Selia rozë ka triumfuar në Durrës, Dibër, Lushnje, Vorë dhe Rrogozhinë.

◾Në Shkodër ka fituar kandidati Bardh Spahia i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

◾Partia Demokratike nuk ka fituar në asnjë nga 6 bashkitë ku u mbajtën zgjedhje.

◾Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se rezultatet zyrtare pritet të dalin ditën e sotme në orët e mbrëmjes.

◾Rreth 30% e qytetarëve kanë marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se incidentet në këto zgjedhje nuk ishin të qenësishme ndërsa pati probleme të vogla teknike me identifikimin e zgjedhësve.

◾Në 3 qendra votimi në Shkodër, përkatësisht në Shosh dhe Pult qytetarët atje nuk mundën të votonin për shkak të pamundësisë së mbërritjes se materialeve zgjedhore nga moti i keq.

Zgjedhjet e 6 Marsit, Sali Berisha: Fitoren e Shkodrës ta shtrijmë në gjithë Shqipërinë

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit, në të cilat 5 bashki u fituan nga PS, ndërsa Bashkia e Shkodrës u fitua nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, kurse PD nuk mori asnjë fitore.

Në hyrje të Parlamentit, Berisha tha se Lulzim Basha nuk pranon asnjë humbje, ndërsa theksoi se këto zgjedhje treguan që demokratët duhet të bashkohen.“U arrit në kushtet më të vështira më të jashtëzakonshme në 30 vite pasi PD u përball në këto zgjedhje jo vetëm me kreun e meduzës, por edhe me patericën e tij me shtojcën e tij Lulzim Bravën, i cili sot është demokrati i vetëm në Shqipëri që ndjehet se nuk humbet dhe nuk ka humbur. I ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit duke shpallur çdo humbje në mos fitore, të paktën jo humbje. Këto zgjedhje janë kushtrimi më i fuqishëm për çdo demokrat që të bashkohemi. Populli opozitar votoi masivisht opozitën e vërtetë të bashkohemi që të gjithë rreth Partisë Demokratike të rithemeluar dhe të vazhdojmë që fitoren e Shkodrës ta shtrijmë në mbarë Shqipërinë. Në ditët në vijim do njiheni me të gjithë hapat tanë”, u shpreh ish-Kryeministri Sali Berisha.

Humbja e PD në zgjedhje, deputeti Ervin Salianji: Ditë e tmerrshme!

Spahia fitoi zgjedhjet në Shkodër, Gjiknuri: Pas 1 viti do mund të bindim dhe ata që nuk na votuan

Pas shpalljes së rezultatit për Bashkinë e Shkodrës, ku Bardh Spahia, kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” ka fituar zgjedhjet, ka reaguar Damian Gjiknuri, i cili ka falenderuar të gjithë banorët e Shkodrës për mbështetjen e dhënë nga PS dhe kandidates së saj, Majlinda Angonit.

“Faleminderit çdo banori të Bashkisë së Shkodrës për votën e dhënë për Partinë Socialiste dhe kandidaten e saj! Respekt për Majlinda Angonin, për betejën e saj dinjitoze dhe qytetare! Garanci për çdokënd që votoi apo nuk votoi për Partinë Socialiste se Shkodra do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë dhe Kryeministrit Rama. Me shumë punë e reflektim, pas 1 viti do mund të bindim edhe ata që nuk na votuan dhe do të meritojmë drejtimin e punëve edhe në Bashkinë e Shkodrës”, ka shkruar Gjiknuri.

Kandidatët e PD asnjë fitore, Duma: Rezultat dëshpërues

Rezultati i zgjedhjeve të 6 Marsit, nxorri PS fituese në 5 bashki, ndërsa “Shtëpia e Lirisë” ka marrë Shkodrën. Nga ana tjetër, PD nuk ka marrë asnjë fitore në 6 bashkitë. Lidhur me këto rezultate, ka folur dhe Grida Duma, e cila u shpreh se ky rezultat është dëshpërues.

Grida Duma: Në mbledhjen që do ta zhvillojmë, secili nga deputetët besoj do të thotë mendimin e vet, padyshim, është dëshpërues rezultati. Në një mënyrë apo një tjetër krejtësisht i papritur. Duhet të merren përgjegjësi, jo vetëm përgjegjësi, por edhe vendime politike. Se cilat janë alternativat dhe cilat kërkesa unë do t’i bëj drejtpërdrejtë, grupit apo lidershpit të PD, ju do të njiheni pasi të bëjmë mbledhjen./tvklan.al

Bardh Spahia fiton Shkodrën: Dera jonë, e hapur për demokratët e vërtetë

Bardh Spahia, kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” ka fituar zgjedhjet për Bashkinë e Shkodrës.

Pas përfundimit të numërimit të fletëve të fundit të votimit, Spahia ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij, aleatët e koalicionit si dhe komisionerët.

Ai bëri edhe një ftesë për të gjithë demokratët e tjerë që nuk e votuan, duke thënë se dera për ta do të jetë gjithmonë e hapur.

Falenderim nga zemra për të gjithë demokratët, për të gjithë qytetarët. Dua të falenderoj edhe aleatët tanë për luajalitetin me të cilët bëmë këtë rrugëtim së bashku. Falenderimi shkon për gjithë ju gazetarë të cilët e transmetuat me shumë përkushtim këtë garë elektorale, por edhe për atë trupë të jashtëzakonshme komisionerësh.

Nga nesër unë do të jemë kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Shkodrës. Një thirrje kam edhe për ata që nuk zgjodhën të më votonin mua, dera jonë, dera e shumicës do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e vërtetë, shkodranët dhe jo vetëm. Le ta festojmë këtë ditë si dita e votës së lirë. Shkodra është fituese, të djathtët e vërtetë, demokratët e vërtetë janë fitues në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Bardh Spahia.

“Shtëpia e Lirisë” fiton zgjedhjet në Shkodër

Bardh Spahia ka fituar garën në zgjedhjet lokale të 6 Marsit në Shkodër.

Kandidati i cili garonte në radhët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” ka fituar përballë kandidates së PS-së, Majlinda Angoni dhe atij të PD-së, Xhemal Bushati.

Shpallja e rezultatit u prit me brohorima nga mbështetësit e Spahisë.

Gazetari Besar Bajraktaraj ka raportuar se procesi i numërimit në Shkodër është shoqëruar pa probleme.

Rama: Rezultatin e prisnim, fituam 5 nga 6 bashkitë! Ajo që po ndodh në Ukrainë e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me zgjedhjet. Kreu i qeverisë ka thënë se Partia Socialiste e priste rezultatin e zgjedhjeve dhe se ka fituar 5 nga 6 bashkitë që ishin në garë. Megjithatë, Rama ndalet edhe tek lufta në Ukrainë, e cila sipas tij, e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje.

Edi Rama: Zgjedhjet e djeshme i dhanë Partisë Socialiste as më shumë e as më pak se sa prisnim. 5 nga 6 bashkitë në garë – me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona. Urime fituesve dhe faleminderit të gjithë atyre që u angazhuan për këtë rezultat, po mbi të gjitha faleminderit zgjedhësve, të cilët dje ushtruan pushtetin e tyre vendimmarrës në interes të komunitetit.

Thënë kjo, nuk rri dot pa shtuar sot se ajo që po ndodh në më pak se dy orë vijë ajrore nga Shqipëria, e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje. Sa hap e mbyll sytë bota ku jetonim ka rindryshuar përsëri. Por ndryshe nga ndryshimi i përkohshëm që na ka imponuar pandemia, ky rindryshim duket se nuk do të jetë aq i përkohshëm. Lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e ndikimit të saj kudo, në tregjet e mëdha e të vogla, ku jeta e përditshme po shtrenjtohet orë e minutë nën bombat e pasigurisë që lufta mbjell kudo.

Sa hap e mbyll sytë filmat me Luftën e Tretë Botërore, armët atomike, shkretimin e vendbanimeve, ia kanë lënë vendin realitetit të jetës sonë, ku duket sikur s’ka më asnjë çmenduri të pamundur dhe sikur as vetë fundi i botës, nuk mund të përjashtohet si një nga skenarët e mundshëm. Ndërkohë ne kemi fituar Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Vorën e Rrogozhinën, me rezultate përtej parashikimeve më optimiste! Por sot lartësia e sfidës është ku e ku më shumë marramendëse, se sa mirëqeverisja e këtyre bashkive dhe se sa të gjitha sfidat qeverisëse deri fare pak ditë më parë.

Ia dolëm me tërmetin dhe me pandeminë, e gabimisht menduam se më e keqja kaloi. Kjo që sapo na ka dalë përpara është më e keqja fare. Duhet me se s’bën t’ia dalim edhe kësaj. Të bashkuar, jo të ndarë.

Përfundon numërimi në Durrës, fiton Emiriana Sako

Emiriana Sako ka fituar zgjedhjet në Bashkinë e Durrësit. Ajo do të vijojë të drejtojë punët e qytetit edhe për 1 vit. Sako ishte kryetare e komanduar e kësaj bashkie.

Në një reagim pasi u shpall fituese, Sako u shpreh: “Falenderoj të gjithë qytetarët e Durrësit për besimin e dhënë për të vazhduar punën për transformimin e qytetit. Kjo fitore është një përgjegjësi e madhe që më jep privilegjin ti shërbej me përkushtim e pasion qytetit dhe të gjithë qytetarëve të Durrësit”.

Sako la pas kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Ardian Muka dhe atë të PD, Luan Hoti.

Berisha për Bashën: I vetmi njeri në glob që del i treti dhe deklaron se nuk ka humbur asnjë garë

“Unë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time. Po! Jam përballur me masakra zgjedhore, por s’kam humbur asnjë garë në jetën time, por për këtë do të kemi kohë të flasim”.

Kjo deklaratë për gazetarët e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, solli reagimin e menjëhershëm të liderit historik të PD-së, Sali Berisha.

Në një postim në rrjetet sociale, ku ish-kryeministri kishte shpërndarë edhe videon e momentit në të cilin Basha shprehet se nuk ka humbur asnjë garë, Berisha shkruan: I vetmi njeri në glob që del i treti dhe deklaron se unë nuk kam humbur asnjë garë.

“Ethe” në Shkodër, si janë ndarë në të shkuarën 2 bashkitë ku vijon numërimi

Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit u zhvilluan në 6 bashki të ndryshme në Shqipëri. Partia Socialiste ka fituar në 4 prej tyre në Dibër, Vorë, Rrogozhinë dhe në Lushnje. Të vetmet bashki që pritet ta mësojnë fatin e tyre janë ajo e Durrësit dhe e Shkodrës.

Shkodra – Në këtë bashki, gara është më e fortë. Bardh Spahia i “Shtëpisë së Lirisë” udhëheq garën me një diferencë prej 1900 votash nga kandidatja socialiste Majlinda Angoni dhe me mbi 11 000 vota nga kandidati i PD-së, Xhemal Bushati.

Në të shkuarën, që pas rrëzimit të komunizmit, Bashkia e Shkodrës ka njohur në drejtimin e saj vetëm përfaqësues të së djathtës. Nga zgjedhjet lokale që janë zhvilluar, 6 i ka fituar PD dhe 1 e ka fituar koalicioni i së djathtës. Partia Socialiste ka mundur që ta fitojë vetëm 1 herë Shkodrën dhe kjo ka qenë në vitin 2019 me Valdrin Pjetrin. Por ky i fundit nuk mundi që ta gëzojë postin e kryetarit të zgjedhur pasi u dorëhoq pa bërë ende betimin për mosdeklarimin në formularin e dekriminalizimit të një dënimi të marrë në Itali.  

Durrës – Numërimi i votave në Durrës është drejt përfundimit. Raportohet edhe për 10 kuti që kanë ngelur pa numëruar deri më tani. Garën aty e udhëheq kandidatja socialiste, Emiriana Sako me një diferencë të thellë nga kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Ardian Muka. Luan Hoti i Partisë Demokratike ka mundur që të marrë vetëm 7 761 vota. Por si janë ndarë në të shkuarën durrsakët për kryetarin e bashkisë? Në 8 zgjedhje lokale, në Durrës ka ftuar PS-ja 6 herë dhe PD-ja 2 herë.

Basha: Nuk kam humbur asnjë garë në jetën time. “6 Marsi”, një anomali e një anomalie

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideron procesin e 6 Marsit “një anomali të një anomalie”. Gjatë një prononcimi për gazetarët Basha u pyet në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve ku PD nuk ka fituar në asnjë bashki deri më tani.

Kryedemokrati u ndal në disa pika. Fillimisht ai tha se qytetarët “kanë kuptuar edhe më qartë nevojën e një reforme zgjedhore të thellë”. Lulzim Basha shtoi më tej se asgjë nuk e lëviz nga vendosmëria që PD-ja të vazhdojë të mbetet një parti politike në shërbim të qytetarëve.

Sipas tij, më 6 Mars qytetarët folën me “mospjesëmarrje” dhe situata kërkon “një reflektim të thellë brenda PD, një reformim të thellë që të mundësojë që PD të jetë më shumë se kurrë, vendi, hapësira, ku qytetarët të gjejnë veten e tyre, të gjejnë zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre”.

Në mbyllje, kryedemokrati tha se nuk ka humbur asnjë garë në jetën e tij.

Për deklaratën e plotë të Bashës KLIKO KËTU.

PS fiton edhe Bashkinë e Dibrës

Kandidati i Partisë Socialiste, Rrahim Spahiu ka fituar zgjedhjet në Bashkinë e Dibrës.

Nga të dhënat rezulton se Spahiu ka marrë 13 995 vota, i ndjekur nga Premtim Kryemadhi i “Shtëpisë së Lirisë” me 4 478 dhe Luan Haka i PD me 4 437 vota.

Gazetarja Glidona Daci raportoi se pas shpalljes së rezultatit, Çlirim Gjata uroi dhe i dha dorën Spahiut.

Sako kryeson garën në Durrës

Vijon procesi i numërimit të votave në Durrës. Kandidatja e Partisë Socialiste, Emiriana Sako është duke udhëhequr garën me 32 555 vota në favor të saj.

Pas saj është renditur kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Ardian Muka me 16 380 vota. I treti është Luan Hoti i PD-së me 6 755 vota.

Gazetarja e Klan News, Ermelinda Hoxhaj, ka raportuar se 80% e kutive janë numëruar. Për këtë arsye pritet që rezultati të dalë gjatë ditës së sotme.

“Shtëpia e Lirisë” kryeson garën në Shkodër

Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” udhëheq garën në zgjedhjet lokale në Shkodër. Kandidati i saj, Bardh Spahia, ka marrë deri më tani 15 746 vota.

Ai ndiqet nga kandidatja e Partisë Socialiste, Majlinda Angoni e cila ka 14 029 vota. Deri më tani, kandidati i PD-së, Xhemal Bushati ka marrë 5545 vota.

Në Shkodër vijon numërimi dhe deri më tani janë numëruar 189 kuti nga 250 që janë në total. Kujtojmë që ditën e djeshme, u anuluan votimet në 3 qendra votimi në Shkodër.

Kandidatja e PS fiton zgjedhjet në Lushnje

Ka përfunduar numërimi i votave në Lushnje. Kandidatja e Partisë Socialiste, Eriselda Sefa, ka fituar ndjeshëm përballë kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” dhe atij të  PD-së.

Pas shpalljes së rezultatit në radhët e mbështetësve të Sefës kanë shpërthyer brohorimat.

“Do të vazhdoj punët e nisura dhe ftoj në bashkëpunim të gjithë qytetarët, edhe ata që më mbështetën, edhe ata që votuan kundër”, u shpreh Sefa pas fitores.

Eriselda Sefa është e para grua që bëhet kryetare e bashkisë në Lushnje.

Kjo bashki që prej 2007 drejtohet nga socialistët. Pavarësisht pjesëmarrjes jo të lartë, Sefa mundi të marrë më tepër vota nga fituesit e tjerë socialistë që prej vitit 2007.

Siç raporton gazetarja Anila Sefa diferenca ka qenë 1500-2000 vota, por sot shkohet në diferencë prej 10 000 votash.

Vijon numërimi në Dibër, kryeson kandidati i PS

Vijon procesi i numërimit në Dibër. Deri më tani kryeson kandidati i Partisë Socialiste Rahim Saphiu me 10 617 vota.

I dyti renditet kandidati i shtëpisë së Lirisë, Premtim Kryemadhi ndërsa i treti kandidati i PD-së, Luan Haka. Gazetarja Glidona Daci ka raportuar se ka përfunduar në njësitë administrative më të mëdha.

Procesi i numërimit ka vijuar me ritme të shpejta dhe për këtë arsye pritet që rreth orës 12:00 të jetë rezultati final.

Veliaj: Me rezultatin në Vorë dhe Rrogozhinë nuk kemi lënë hapësira për të dyshuar tek fitorja e PS

Erion Veliaj në një deklaratë nga selia e PS ka deklaruar se me fitoren e thellë në Rrogozhinë dhe Vorë nuk ka lënë hapësirë për të menduar se një koalicion mes të djathtës mund të mundte Partinë Socialiste.

Teksa shpalli fitoren edhe në Rrogozhinë, drejtuesi politik i selisë rozë për Tiranën tha se nuk do të ketë asnjë diferencim edhe për votuesit që menduan ndryshe në këto zgjedhje.

“Jam shumë i lumtur të anonçoj atë që tashmë e dini të gjithë. Bashkia e Rrogozhinës ka votuar në mënyrë masive për PS-në dhe kandidatin ton Edison Memolla. Kemi fituar në Rrogozhinë me mbi 60% diçka që ishte edhe ambicia jonë, prapë të fituar më shumë se dy kandidatët e opozitës së bashku.

Çmojmë besimin tuaj, e lexojmë shumë qartë besimin tuaj dhe nuk do t’ju zhgënjejmë dhe do të bëjmë gjithçka që të përfundojnë të gjitha investimet. Do t’ju shërbejmë të gjithëve njësoj, nuk do të bëjmë asnjë diferencim dhe siç kemi treguar gjithë këtë kohë si në Vorë dhe Rrogozhinë me të njëjtën përulësi, dhe përkushtim do vazhdojmë të shërbejmë. E kemi marrë shënim mendimin tuaj ndryshe dhe mezi pres t’ju tregojmë që nuk do të bëjmë asnjë diferencim teksa do të vendosemi në dispozicion për të gjithë qytetarët.

Me fitoren ne Vorë rreth 70% dhe në Rrogozhinë në 60% nuk kemi lënë hapësirë për të menduar se një koalicion apo një bashkim i partive të djathta mund të mundte PS. Filozofia si në Vorë dhe në Rrogozhinë ka qenë promovimi i atyre që punojnë me përulësi dhe nuk mbjellin sherr dhe konflikt.

Dua të falenderoj kolegët e opozitës. Të dy kandidatët në Rrogozhinë kanë bërë një fushatë civile, të qetë. Patjetër nuk ishin dakord me ne, ishin aty për të na mundur, por ajo që mbizotëroi ishte qytetaria. As zonja Duma dhe zonja Tabaku nuk janë armiqtë tanë, janë kundërshtarë në një betejë dhe tani që beteja ka mbaruar dhe një fitues shumë i qartë ka dalë ne na duhet të ecim përpara me këtë frymë bashkëpunimi. Edhe kundërshtarët duan më të mirën për Rrogozhinën dhe Vorën”, tha Veliaj.

Zgjedhjet e pjesshme, çfarë ndodh në selinë e PD-së

Në selinë e Partisë Demokratike nuk ka asnjë reagim në lidhje me procesin zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit. Gazetari Enkel Xhankoli ka raportuar se PD nuk ka reaguar ende as për procesin e votimit, atë të numërimit apo për rezultatin në bashkitë Vorë e Rrogozhinë, ku PS-ja ka dalë forcë e parë fituese.

“Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e PD. Nuk pati as mbrëmë deri në orët e vona në lidhje me numërimin ë Vorë, ku PD doli forcë e tretë. PD ka humbur edhe Rrogozhinën ku në këtë bashki doli forca e dytë që u kryesua nga PS. Deri më tani PD nuk ka komentuar as procesin zgjedhor, të numërimit apo rezultatin në këto dy bashki”, raportoi gazetari.

Megjithatë më vonë pritet që të ketë një reagim në lidhje me procesin zgjedhor dhe rezultatin e zgjedhjeve.

Ndërkohë të vetmet reagime të selisë blu kanë qenë ditën e djeshme ku PD ka vijuar akuzat ndaj PS dhe Shtëpia e Lirisë. Pika më e nxehtë kanë qenë problematikat e Vorës për shkak të komisionerëve, çështje për të cilën u bë edhe një kallëzim penal. Po ashtu, selia blu ka akuzuar edhe për votime familjare në Vorë.

Kandidatja e PS kryeson në Lushnje

Procesi i numërimit të votave është drejt përfundimit edhe në Lushnje. Gazetarja Anila Sefa ka raportuar se deri më tani kryeson me 8091 vota kandidatja e Partisë Socialiste.

Ajo ka një diferencë të thellë me mbi 3 mijë vota nga kandidati i dytë, Elton Bano, i cili kandidoi në radhët e “Shtëpia e Lirisë”. Bano ka marrë deri më tani 4804 vota.  

Kandidati i Partisë Demokratike, Indrit Sefa ka marrë 1698 vota deri më tani.

Gazetarja Anila Sefa raportoi se me gjasë, duke pasur parasysh edhe rezultatin, Eriselda Sefa do të jetë kryetarja e parë femër për Bashkinë e Lushnjes.

PS fiton edhe Rrogozhinën

Ka përfunduar në Rrogozhinë procesi i numërimit të votave në zgjedhjet e pjesshme vendore. Kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla, ka fituar zgjedhjet dhe ka marrë 60.7% të votave ose e përkthyer në 5438 vota.

I dyti ka dalë Ferdinand Saraçi me 1966 vota dhe kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” ka marrë 1550 vota. Gjithsej në Rrogozhinë janë numëruar 53 kuti, ndërsa KQZ përllogarit që pjesëmarrja të ketë qenë në masën 28.59%.

REDAKSIA TVKLAN.AL