Lajme Arkiva 2003
Shqipëria është krejtësisht e zbuluar ndaj sindromit vdekjeprurës që ka pushtuar vendet aziatike. Që prej një jave ku janë zbuluar më tepër se 150 raste të infektuarish me sindromin e rëndë akut respirator, masat në aeroportin e vetëm ndërkombëtar shqiptarë “Nënë Tereza” në Rinas nuk ekzistojnë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë prej ditësh ka dhënë alarmin për virusin vdekjeprurës ku në të gjitha aeroportet ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës i janë shtuar masat e sigurisë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ky informacion është përcjellë edhe në vendin tonë në mënyrë që të sigurohen pasagjerët që mbërrijnë, ose largohen nga Shqipëria.
Drejtori i Kujdesit Shëndetësor parësor Agim Shehi pohon se:
“Ne kemi ditë që po ndjekim me vëmendje të gjitha njoftimet që jep Organizata Botërore e shëndetësisë, javore të saj që vijnë te ne dhe studiohen dhe vlerësohen për këtë lloj patologjie dhe së fundmi njoftimin djeshëm të organizatës botërore të shëndetësisë dhe rregullat apo udhëzimet që ajo jep, ne shumë shpejt i kemi përqasur në vendin tonë dhe kryesore është që ne të vëmë në një angazhim të plotë strukturën shëndetësore që funksionon në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë apo në Rinas. Kështu që menjëherë ne kemi njoftuar këtë lloj strukture, mbi këtë situatë, mbi udhëzimet që jep organizata botërore e shëndetësisë dhe masat që duhet të merren, pikat e kontaktit që ka nëse do të kemi një rast të dyshimtë me këtë lloj sindromi, modalitetet e vlerësimit, transportit dhe shtrimit në spitalet tona infektive ose jo”.
Por qendra e vetme shëndetësore në aeroportin Rinasit e cila varet në rrugë administrative nga policia e transporteve gjatë orës së pasdites qëndron e mbyllur. Përveç kësaj në të nuk është shtuar as stafi dhe nuk është marrë ndonjë masë tjetër sigurie pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë e ka kërkuar një gjë të tillë.
Sindromi i rëndë akut respirator përfaqësohet nga një pneumoni tipike. Sindromat e tij janë temperaturë e lartë mbi 38 gradë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Deri më tani nuk është zbuluar ende shkaktari i këtij virusi vdekjeprurës ndërkohë që në vendet aziatike është deklaruar për virus të tipit B./tvklan.al