Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Evropës Ian Mikalef, i cili qëndroi për një vizitë zyrtare në Tiranë, u takua me krerët më të lartë të shtetit dhe aktorë të politikës. Ai ka bërë apel për bashkëpunim dhe dialog politik.
Ian Mikalef: “Apeli im është, se siç e kam thënë kur kam qenë këtu në 2007, në zgjedhjet lokale, dialogu politik është mënyra më e mirë për partitë politike për të zgjidhur çdo çështje që mund të kenë. Qëndrimi im është që ato së bashku të arrijnë në një dialog në mënyrë që të arrijnë në një jetesë më të mirë për qytetarët e Shqipërisë”.
I pyetur për pavarësinë e pushtetit lokal dhe atij vendor Mikalef deklaroi, se në asnjë rast nuk ka konstatime negative për procesin e decentralizimit në Shqipëri.
Ian Mikalef: “Shoh që gjërat po ecin me një trend pozitiv. Nuk ka pasur asnjë raport që flet për cenimin e pushtetit lokal. Ka disa deklarata apo pretendime të cilat duhen parë, por kur zhvillova bisedime me Presidentin e Republikës, Kryeministrin dhe ministrin Basha, konstatova se nuk ka asnjë vullnet nga qeveria, asnjë synim për të ndërhyrë në autonominë e pushtetit lokal. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk po them që çdo gjë është perfekt, por siç themi ne në anglisht, “në rast se ka vullnet ka një mënyrë”, pra në rast se ka një vullnet politik të qeverisë për të vazhduar në rrugën që siguron autonomi për pushtetin lokal, atëherë këtë do ta kemi shumë shpejt në këtë vend”.
Një tjetër mesazh ai i ka drejtuar opozitës për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme.
Ian Mikalef: “Bojkoti nuk është demokraci në një vend demokratik. Bojkoti nuk pritet mirë, nuk shihet mirë. Ne kemi rënë dakord me qeverinë se ne do të jemi të ftuar si kongres për të monitoruar zgjedhjet lokale te 2009-ës. Jo pse kemi ndonjë dyshim lidhur me procesin elektoral në këtë vend, por sepse duam të jemi këtu të shikojmë mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet. Besoj se kur krahasojmë Shqipërinë me vendet e tjera të BE, konstatojmë se është bërë shumë lidhur më regjistrimin e votuesve dhe listat me zgjedhjeve. Në këtë mënyrë kemi mjete elektronike dhe në këtë rast ato janë aplikuar. Shqipëria është një ndër vendet që ka arritur shumë brenda një kohe të shkurtër. Një përmirësim kur bëhet fjalë për indetifikimin e votuese, i cili është dhe aspekti më i rëndësishëm me të cilin duhet të përballesh në një proces elektoral. Kështu ne që duam të jemi prezent, të dëshmojmë që Shqipëria ka bërë përpjekjet e saj dhe sërish mesazhi im është se, në rast se ka diçka që mund të jetë e gabuar në një proces zgjedhor, opozita ka të gjithë të drejtën që ekziston ta kthejë në çështje gjyqësore dhe ta lërë gjykatën të vendosë, sepse në një vend demokratik duhet të zbatohet pushteti i ligjit dhe për Këshillin e Evropës, zbatimi i ligjit është një vlerë thelbësore”.
Mikalef ka zhvilluar gjithashtu takim me kryeministrin Berisha. Sipas zyrës së shtypit dhe kryeministrit, ai është shprehur se e sheh me shqetësim dhe skepticizëm përpjekjen e opozitës, për të krijuar mosbesim në klimën politike, që sipas tij nuk përputhet dhe nuk i shërben realitetit që ekziston sot në Shqipëri.
Në të njëjtën frymë është zhvilluar dhe bashkëbisedimi që ai pati me Presidentin Topi, ku ka theksuar nevojën e dialogut dhe bashkëpunimit mes dy pushteteve, atij vendor dhe pushtetit qendror. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri z. Mikalef u takua dhe bisedoi me Ministrin e Punëve të Brendshme z. Lulzim Basha, Kryetarin e PS Edi Rama. /tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani