Një ndërrim i programit dhe shpallja e përfundimit të luftës në Irak do të sjellë në Tiranë Sekretarin Amerikan të Shtetit Colin Powell. Sipas një axhende që ende nuk ka marrë formë të plotë zoti Powell pritet të takohet të premten me presidentin Alfred Moisiu, kryeministrin Fatos Nano dhe ministrin e puneve të jashtme Ilir Meta. Është parashikuar që sekretari Amerikan i shtetit të mbajë një deklaratë përpara mediave, ku pritet të jap një mesazh të fortë për Shqipërinë. Atë ditë në Tiranë do të jenë edhe dy ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Kroacisë, pasi qëllimi i vizitës zyrtare i krahut të djathtë të presidentit George Bush në Shqipëri është firmosja e kartës Adriatik 3, një angazhim rajonal i Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë në përshpejtimin e antarësimit në NATO.

Iniciativa rajonale u miratua në Tiranë në 12 Shkurt gjatë samitit të Tiranës mes presidentit Shqiptarë Moisiu, presidentit Maqedonas dhe atij Kroat. Ishte presidenti Bush që mirëpriti i pari këtë vendim, që tre shtetet Ballkanike të punonin sëbashku për bashkimin në NATO. Në fakt kjo vizitë e një niveli kaq të lartë që prej kohësh i mungonte Shqipërisë, nuk ishte e parashikuar, pasi pritej që karta Adriatik 3 të nënshkruhej në Washington. Por duket se lufta e Irakut i ka afruar shumë 3 vëndet e vogla Ballkanike me superfuqinë botërore.

Gjatë qëndrimit 4 orësh në Tiranë, Sekretari Amerikan i Shtetit pritet të falenderojë autoritetet më të larta Shqiptare për mbështetjen e kualicionit ndërkombëtarë antiterror dhe për forcën paqeruajtëse që përfaqëson vendin tonë në Irak. Kjo është vizita e dytë në Shqipëri e Colin Powell, para 7 vjetësh sëbashku me presidentin Bush ata vizituan privatisht bregdetin Shqiptarë dhe në jahtin e tyre privat u takuan me presidentin e aso kohe Sali Berishën.