Fundi i mandatit në krye të NATO-S e risjell sekretarin e përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer në Tiranë. Kryeministri Sali Berisha do të përfitonte nga ky rast për t’i shprehur mirënjohjen e thelle për angazhimin personal në anëtarësimin e Shqipërisë në aleancë pas plot 17 vjet përpjekjeje.
Pa kursyer vlerësimet për sekretarit e përgjithshëm, Berisha do theksonte nder të tjera rolin e tij në hedhjen e bazave, për një reforme strategjike në NATO.
Sali Berisha: “Sekretari i përgjithshëm Scheffer, do të mbetet në memorien historike të kombit tonë, si një ndër miqtë më të shquar.”
Ishte rasti që kryeministri të rishprehte angazhimin për zgjedhje me standarde, gjë për të cilën garantoi jo për herë edhe gjatë takimit që parapriu deklarimet për shtyp, numrin një të NATO-s.
Sali Berisha: “E informova për të gjitha përpjekjet e qeverisë për një kuadër ligjor dhe teknik më të mirin që ka patur ndonjëherë vendi dhe përkushtimin e plotë dhe total të qeverisë, për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptar nderimin e vullnetit të tyre, por dhe nderimin dhe vlerësimin e të gjithë atyre që votëbesuan Shqipërinë.”
Scheffer do ta cilësonte anëtarësimin e Shqipërisë një vendim të rëndësishëm të NATO-s. Ajo çfarë nënvizoi është kontributi i vendit si eksportues i sigurisë në mbështetje të misioneve paqeruajtëse të NATO-s, para dhe pas anëtarësimit.
Jaap de Hoop Scheffer: “Më lejoni t’ju përgëzoj ju dhe popullin shqiptar. Shkel për herë të parë këtë tokë tashmë anëtare të NATO-s dhe është e para gjë që dua të them. Besimi im i thellë është se integrimi euroatlantik i rajonit është e vemja rrugë që garanton stabilitet. Është një arritje e rëndësishme dhe siç diskutuam me zotin kryeministër procesi i reformës do të vazhdojë përpara, pa asnjë mëdyshje. Shqipëria do të marrë pjesë në diskutimet për hartimin e një koncepti strategjik për NATO-n. Jam i sigurt se Shqipëria, e cila gjithnjë ka qenë një zë i moderimit në rajon, do të vazhdojë në këtë rrugë, e cila është në interesin e të gjithëve.”
I rikthyer nga pas tre vitesh në Shqipëri, Scheffer do të mbahet mend për theksimin në Tiranë në vitin 2006, të politikës së dyerve të hapura si filozofi që udhëheq NATO-n. Një deklarim që shënoi fillimin e një ere të re në marrëdhëniet e vendit me aleancën që do të kurorëzohej me anëtarësimin e plotë në prill të këtij viti./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi