Pas Berlinit ishte radha e Washington-it për të pritur ish-kancelaren gjermane Angela Merkel e cila ka prezantuar librin e saj “Liria. Kujtimet 1954-2021”, së bashku me ish-presidentin amerikan Barack Obama. Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili krijoi një marrëdhënie të ngushtë me Merkel, e pyeti për qasjen e saj ndaj krizës së emigrantëve kur ajo ishte në detyrë.
“Ju vepruat me shumë guxim kur pranuat një numër të madh emigrantësh veçanërisht sirianë, në Gjermani. Kishte një kosto politike për ketë. Nuk ishte gjithmonë e mirëpritur si qasje, madje edhe brenda partisë suaj, por ju mendonit sikur kjo ishte gjëja e duhur për të bërë”, tha Obama.
“Mendova në atë kohë, ne nuk mund të mbajmë fjalime duke thënë se sa shumë respektojmë të drejtat e njeriut, sa respektojmë dinjitetin njerëzor. Dhe pastaj vijnë gjithë këta njerëz që kërkojnë strehim dhe ne u themi atyre: ‘Jo. Për ty nuk kemi vend.’ Ne nuk e kemi këtë zemër. Por e dija gjithashtu se nuk mund të merrnim çdo ditë apo çdo javë mijëra refugjatë. E dija gjithashtu se kishte trafikantë që i dërgonin këta njerëz në Evropë. Unë mendoj se emigracioni i paligjshëm mund të luftohet vetëm nëse flisni me vendet e origjinës dhe krijoni mundësi për emigrim legal. Ne të gjithë kemi nevojë, për shembull, për fuqi punëtore të kualifikuar në Gjermani. Por duhet te luftojmë së bashku kundër rrjeteve kriminale të trafikantëve”, u shpreh Merkel.
Mes dy ish-liderëve politikë u diskutua edhe kriza financiare e vitit 2008.
“Unë vija nga një ekonomi socialiste dhe kisha shpresuar që kompanitë të punonin me përgjegjësi. Më duhej të zbuloja se bankat, me mekanizmat e tyre e sollën botën në krizë. Dhe në fund, shtetet duhej të ndërhynin për të zgjidhur situatën”, tha ish-kancelarja.
Gjatë mandateve të saj në detyrë, Merkel drejtoi Gjermaninë në një kohë kur Evropa ishte e përfshirë nga një krizë financiare globale, pandemia e COVID-19, etj. Por që atëherë ajo është përballur me kritika edhe për shkak të varësisë së Berlinit nga gazi rus dhe tregtia kineze.
Klan News