Durrësi vazhdon të tërheqë vizitorë edhe gjatë muajve të vjeshtës, duke shënuar një periudhë të zgjatur pushimesh. Përveç bregdetit, turistët zgjedhin të eksplorojnë edhe atraksionet historike e kulturore të qytetit.
“Kemi 4 ditë këtu dhe është një qytet shumë i bukur. Ushqimi është i shkëlqyer, dhe moti gjithashtu. Ne vijmë nga Suedia dhe është hera jonë e parë këtu. Ndoshta do të kthehemi edhe vitin e ardhshëm, dhe sigurisht do t’ua rekomandoja Durrësin të njohurve të mi. Është një qytet ku ka shumë gjëra për të bërë dhe për të parë.”
“Kemi 6 ditë që jemi këtu. Jemi nga Mbretëria e Bashkuar. Mbërritëm dje dhe e shijuam perëndimin me një pije. Më pas, darkuam me një vakt shumë të shijshëm. Hoteli ku po qëndrojmë është i ri dhe ka një pamje fantastike nga amfiteatri. Kemi vizituar Tiranën dhe Beratin, dhe jemi argëtuar pa masë. Besoj se do të vijmë sërish vitin e ardhshëm, dhe ndoshta do të eksplorojmë edhe veriun për të parë malet. Me kënaqësi do t’ua rekomandoja të gjithëve këtë qytet; ka shumë për të parë, sidomos për ata që janë të interesuar në historinë e tij. Erdhëm këtu sepse moti në Britani ishte i tmerrshëm.”
“Jemi nga Çekia. Kam blerë disa suvenire këtu. Kemi 4 ditë dhe çdo gjë po shkon mirë. Jemi duke e shijuar udhëtimin.”
“Kemi një javë në qytet dhe po qëndrojmë në hotel. Jemi duke kaluar shumë mirë. Është një udhëtim i lirë dhe me leverdi për ne. Vijmë nga Finlanda.”
Përveç pushimeve në bregdet dhe guidave brenda qytetit, turistët po zbulojnë gjithnjë e më shumë zonat kulturore dhe atraksionet agroturistike përreth Durrësit. Operatorët turistikë thonë se ka pasur një rritje të ndjeshme të rezervimeve këtë sezon, ku pjesën më të madhe të turistëve e përbëjnë nordikët dhe polakët, të cilët po tregojnë interes të veçantë për vendin tonë.
Klan News