Fundjavat me diell në Durrës u kanë dhënë mundësi vizitorëve vendas dhe të huaj të shijojnë vijën bregdetare, pavarësisht se jemi në stinën e dimrit.
“Ka goxha turistë vendas, të cilët frekuentojnë edhe bregdetin kur është kohë e mirë, edhe malin, edhe kodrinat, edhe liqenin. Shqipëria është një vend që i ka të gjitha tipologjitë e turizmit”, tha Eduart Xhepa, kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit Durrës.
Xhepa, thotë se njësitë akomoduese janë plotësisht funksionale, ndërsa turistët vijnë nga e gjithë bota, të kryesuar nga italianët.
“Kryesisht nga këto vendet nordike janë që e frekuentojnë shumë, por abosolutisht që italianët janë bërë si të shtëpisë sepse përveç se vijnë si turistë, kanë aktivitete, biznese. Po ashtu, përveçse vijnë vetë sjellin edhe miqtë e tyre. Padiskutim Gjermania, Austria, normalisht janë vende që e frekuentojnë Shqipërinë”, tha Xhepa.
Interesi për bregdetin vijon të jetë i lartë dhe kjo reflektohet edhe në prenotimet për sezonin e ri turistik.
“Prenotimet kanë filluar gati një muaj e gjysmë përpara, që do të thotë, prilli, kanë filluar të bëhen prenotimet. Ndërkohë që frekuentime ka shkurti, edhe marsi do të ketë. Por në ndryshim nga viti i kaluar është gati një muaj, një muaj e gjysmë zgjatje e sezonit turistik”, tha Xhepa.
Turizmi mbetet jetik për Durrësin, i cili pret vizitorë në çdo stinë të vitit. Ndërkohë, në prill pritet të mbërrijnë grupet e para turistike që do të akomodohen në qytet, duke shënuar hapjen e sezonit të ri.
Klan News