Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Paradokset ligjore dhe ndërthurjet jo të drejta të kompetencave mes pushtetit qendror dhe atij vendor, janë faktorët që krijojnë më tepër probleme për mbarëvajtjen e industrisë hoteliere. Ato janë bërë të ditur në takimin që shoqata e hotelierëve pati me përfaqësues të Ministrisë së Rregullim Territorit dhe të Këshillit të Qarkut Durrës, në mjediset e hotel Grand Pameba në Golem.
Problemet me të cilat hasen hotelierët, kryesisht ata në zonat turistike, kanë të bëjnë me ndërtimet e shumta pa kriter, me mungesën e infrastrukturës ndihmëse, me regjistrimin, licencimin dhe klasifikimin e vetë hoteleve, me nivelin e shërbimeve që ofrohen etj. Por ndonëse ato janë të prekshme dhe ndikojnë për keq në zhvillimin e industrisë hoteliere në veçanti dhe të turizmit në përgjithësi, problemet kanë gjenezën tek vetë strukturat e shtetit.
Sipas hotelierëve të Durrësit të pranishëm në takim, duke parë natyrën e ndërtimeve është e vështirë të kuptosh se çfarë nënkuptohet me zonë turistike. Hotelierët kërkuan përmirësimin e kuadrit ligjor, pasi zona turistike miratohen si të tilla nga KRRTRSH, por menaxhimi i zhvillimit të tyre kryet nga strukturat e pushtetit lokal, pikërisht për këtë gjë ndodhin paradokse të tilla, si pranë një hoteli në një zonë turistike miratohet një leje ndërtimi për një pallat banimi.
Vetë Golemi është një shembull i këtij realiteti shqiptar. Në këtë mënyrë u kërkua që t’u jepej fund ndërtimeve me leje, por të pa ligjshme./tvklan.al