Qeveria shqiptare ka nënvizuar deklaratat e Bashkimit Europian mbi zgjedhjet e 28 qershorit. Zëdhënësja e qeverise njëkohësisht Ministre për Integrimin Europian, Majlinda Bregu, tha se Brukseli zyrtar rikonfirmoi qëndrimin e shprehur dhe në raportin e OSBE/ODIHR se këto zgjedhje shënuan progres të prekshëm. Bregu ju referua për këtë deklaratës së Ministrit të Jashtëm të Suedisë, Bildt si dhe Komisionerit Europian për Zgjerim, Olli Rehn.
Majlinda Bregu: “Deklaratat e presidencës suedeze dhe të komisionarit Rehn se vendi pas këtyre zgjedhjeve është në një pozitë më të mirë përsa i përket perspektivës së tij evropiane, janë konfirmim i përgjegjshmërisë me të cilën qeveria shqiptare ka zbatuar dhe do të zbatoj të gjitha detyrimet që afrojnë më shumë vendin drejt BE-së. pas raportit të publikuar nga OSBE/ODIHR, të cilin theksohet se këto zgjedhje kanë shënuar një progres krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe se në këto zgjedhje nuk kishte prova për manipulim rezultati apo numërim të pa rregullt vine dhe deklaratat e përfaqësuesve më të lartë të BE-së të cilët gjithashtu konfirmojnë se Shqipëria sot është më afër BE-së”.
BE inkurajon po aq debatin politik. Në ketë pikë, Bregu i bën thirrje opozitës për pjesëmarrje në kuvend si një hap i vlefshëm edhe për proceset integruese ku është përfshirë vendi.
Majlinda Bregu: “Dua t’i bëj thirrje opozitës që të mos e nëpërkëmbin me bojkote të pa moralshme procesin më të rëndësishëm të Shqipërisë, atë të Shqipërisë europiane. Ftoj opozitën e Ramës që t’i lexojë këto mesazhe vlerësuese për zgjedhjet e 28 qershorit me syrin dhe pa anësinë e partnerëve të Shqipërisë në Evropë. E ftoj opozitën e Ramës që të vij në parlament dhe të dëshmojë se plotësimi i detyrimeve për të qenë sa më shpejt një vend anëtar i BE-së është detyrimi politik dhe qytetar i gjithkujt që ka kërkuar dhe ka marrë votën e shqiptarëve më 28 qershor”.
Shqipëria ka tejkaluar kështu testin më të rëndësishëm politik që lidhej me zgjedhjet parlamentare. Vlerësimi i këtyre të fundit për herë të parë në historinë e zhvillimit të zgjedhjeve demokratike në vend u bë mbi bazën e standardeve më të larta të unionit. Vlerësimi pozitiv i zgjedhjeve i ka hapur dritën jeshile vendit për një proces të rëndësishëm sikundër është shqyrtimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Një çështje që do marrë përgjigje brenda muajit tetor nisur dhe nga deklarimet optimiste të presidencës së radhës së BE, Suedisë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi