Progresi i Shqipërisë në fushën e reformave është përgëzuar edhe nga agjencia USAID, e cila njihet si mbështetësi i fortë i vendeve të përkushtuara në reforma.

Në fjalimin e saj në ndërtesën “Ronald Regan” në Uashington drejtoresha e USAID-it, Henrietta H.Fore, në nder të 5-vjetorit të projektit “Doing Business”, që monitoron ekonomitë e 181 vendeve të botës u fokusua ndër të tjera dhe tek Shqipëria.

Gjatë këtyre viteve, tha ajo, kemi qenë dëshmitarë të arritjeve mbresëlënëse të shumë vendeve të botës. Unë kisha privilegjin të vizitoja Shqipërinë ku USAID administron programin e kompanisë, Millenium Challenge Corporation që ndihmon dhe angazhohet në zgjidhjen e problemeve, paraqitjen e ideve të reja dhe implementimin e reformave.

Sot, tha ajo, jam shumë e kënaqur të vërej se Shqipëria ka ecur përpara. Progresi i saj është i lavdërueshëm pasi është vendi i dytë në botë për reformat në fushat kyçe të biznesit.

Ajo ka bërë hapa gjigante pasi kohë më parë nga 181 ekonomitë e botës nën shqyrtim nga raporti i Bankës Botërore, “Doing Business”, ishte në vendin e 135-të, ndërsa tani në të ’86-tin.

Kemi shumë punë për të bërë, mbyll fjalimin e saj Fore dhe kur shikohet progresi i bërë tani na bën që të presim me entuziazëm arritjet e mëdha të së ardhmes./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle