Në ditën e fundit të regjistrimeve në universitete 504 maturantë të cilët kanë fituar të drejtën e studimit në Universitetin e Vlorës, por që janë me mesatare poshtë notes gjashtë nuk kanë mundur të regjistrohen.

Rektori Shaska ua ka mohuar këtë të drejte, pavarësisht urdhrit të lëshuar nga Ministria e Arsimit, e cila edhe një ditë më parë i kërkoi atij të respektojë vendimet e këtij dikasteri.

“Kërkesa jonë është që të regjistrohemi se ishim të pa informuar për kriterin e universitetit të mesatares 6”.

“I bëj thirrje ministrit të përshpejtoj pak me urdhrin, pavarësisht se urdhri është dhënë, po rektori nuk na lejon akoma”.

Në mbështetje të tyre dhe të vendimit të Ministrisë së Arsimit, ka dale edhe LSI, e cila i ka bërë thirrje rektorit të tërhiqet nga mohimi i të drejtës për studim i këtyre studenteve dhe i ka kërkuar opozitës socialiste të mos luaje politikisht edhe me këtë çështje.

Besian Pesha: “Doja t’i bëja një thirrje elektoratit që të fillojë të tregohet pak më i hapur në komunikimin me studentët dhe të jetë më aktiv në informimin e tyre. Po doja t’i bëja një thirrje të veçantë edhe opozitës që të filloj edhe të qëndrojë larg aksioneve destruktive. Nuk ka për të qenë asnjëherë aksioni më i mirë politik për Edi Ramën, as një problem dhe një hall i një studenti, as një problem dhe një hall i një të riu”.

Maturantët sorollaten prej javësh nëpër dyert e këtij universiteti, pasi rektori Tanush Shaska, vazhdon ta injoroje urdhrin e Ministrit së Arsimit./tvklan.al

Gazetare: Ornela Hila