Ledi Shamku: “Partia Socialiste është pranë të gjithë vocërrakëve që sot kanë marrë për herë të parë çantat e shkollës mbi shpinë. Partia Socialiste është sot me shpirt e zemër edhe tek të gjithë ata fëmijë që sot varfëria i pengoi të ulen në bankat e shkollës bri moshatarëve të tyre. Partia Socialiste është sot më shumë se kurrë në krah të atyre arsimtarëve që besuan, formësuan dhe mbështetën projektin tonë për një arsim të shekullit të ri dhe pikërisht për këtë besim dhe mbështetje sot gjenden të papunë për faj të një hakmarrje të klaneve tribale, që ende qeverisin këtë vend, gjithkujt prind a mësues që sot në këtë Shqipërinë tonë ia ka blatuar ditën dritës së arsyes dhe qytetërimit që lind dhe rritet veç falë kësaj drite, çdo shqiptari që sot mban gjallë me mund e zemër plagën e shkollimit dhe të rritjes kombëtare. Partia Socialiste i uron fillim të mbarë dhe zemër të fortë.”
Besjan Pesha: “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dua që t’ju uroj sot të gjithë të rinjve dhe të rejave shqiptarë që janë ulur sot në bankat e shkollës një vit sa më të mbarë shkollor. Dua të siguroj edhe njëherë të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe familjet e tyre se gjatë këtij 4-vjeçari Lëvizja Socialiste për Integrim do të punojë me intensitet për të garantuar një proces mësimor sa më efektiv. Gjithashtu do të doja sot që t’i bëja një thirrje të veçantë bashkisë së Tiranës duke patur parasysh edhe numrin e madh të nxënësve që studiojnë në shkollat e kryeqytetit që të marrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që ky vit t’i gjejë klasat e kryeqytetit të pajisura me sisteme ngrohjeje.”/tvklan.al