Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e dy turistëve gjermanë të parkuar në plazhin “Lapardha”, Lukovë, ishin vjedhur një shumë parash dhe sende personale, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Falë veprimeve të shpejta profesionale hetimore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Storm 22”, u bë i mundur identifikimi i autorëve.

Në vijim të operacionit u bë kapja dhe shoqërimi i autorëve të dyshuar, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i shumës së parave dhe i sendeve të vjedhura. Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar të vjedhjes, konkretisht 18-vjeçarit me iniciale F.Q., banues në Lukovë. Ndërsa për autorin tjetër, 13-vjeçar, nisi procedimi në gjendje të lirë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë i kanë rikthyer shumën e parave dhe sendet e tjera të vjedhura dy turistëve gjerman, të cilët kanë falënderuar për gatishmërinë për gjetjen dhe kthimin e sendeve të tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al