Seanca ku pritej që gjyqtarja e posaçme Flojera Davidhi të shqyrtonte kërkesën e SPAK për të marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin dhe 3 të tjerë, u shty për në datën 25 Nëntor.

Shkak për shtyrjen u bë volumi i madh i dosjes dhe nevoja për kohë e mbrojtjes.

Avokati Genc Gjokutaj: Seanca është caktuar, por janë 160 mijë faqe. Pjesa e leximit, s’duhet vetëm të lexohen, por edhe të selektohen kush janë të dobishme për çështjen. Çështja nuk ka as dyshimin më të vogël të arsyeshëm, do të kërkojmë pushimin e çështjes, pastaj vendimmarrja është e gjykatës

Në këtë seancë ishte i pranishëm vetëm biznesmeni Fatmir Bektashi, të gjithë të hetuarit e tjerë zgjodhën të përfaqësohen nga avokatët e tyre, përfshirë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

SPAK thotë se Berisha është korruptuar nëpërmjet dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Si korruptuesin e tyre, hetuesit e posaçëm thonë në kërkesën për gjykim se është Fatmir Bektashi.

Nga ana tjetër, Berisha e Malltezi të cilët që në nisje të hetimeve i kanë konsideruar ato të motivuara politikisht, pretendojnë mungesë provash dhe fakti penal.

Të gjitha këtyre pretendimeve pritet t’i japë përgjigje gjyqtarja e seancës paraprake në 25 Nëntor.

Tv Klan