Ambasadori gjermani: Vlerësim për përpjekjet në Reformën në Drejtësi

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka uruar kryeministrin Edi Rama dhe atë maqedonas Olives Spasovski për vendimin që u mor nga Këshilli i Ministrave të Europës për të çelur bisedimet për negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Von der Leyen thotë se është shumë e kënaqur nga ky vendim dhe pret që liderët e BE-së ta miratojnë këtë javë.

“Lajm i shkëlqyer për Ballkanin Perëndimor dhe për BE-në. Jam shumë e kënaqur për shtetet anëtare kanë dhënë dritën jeshile për të nisur procesin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpresoj që liderët e BE-së ta miratojnë këtë javë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Urime Edi Rama dhe Oliver Spasovski”, shkruante Presidentja e KE në Twitter.

Në lidhje me këtë ngjarje reagoi edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf. Sipas tij, me këtë vendim, BE tregoi se vlerësoi përpjekjet e kryera nga Shqipëria në kuadër të reformës në drejtësi.   

“Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të nisin bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë. Në këtë mënyrë BE tregon, se vlerëson përpjekjet e kryera nga Shqipëria, para së gjithash në kuadër të reformës në drejtësi. Ky vendim është një gur i rëndësishëm kilometrik për Shqipërinë në drejtim të anëtarësimit në BE. Në krizën e rëndë aktuale të corona-virusit ai është një shenjë e rëndësishme optimizmi për rrugën e përbashkët drejt të ardhmes. BE do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë dhe rajonit, Gjermania do të vijojë me vendosmëri angazhimin e saj si partner dypalësh. Vendimi skicon njëkohësisht edhe rrugën e reformave të mëtejshme, në të cilën do të duhet të ecë Shqipëria muajt e ardhshëm, në mënyrë që t’i jepet udhë konferencës së parë të anëtarësimit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në këtë rrugë reformash”, tha Zingraf.

Edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi reagoi pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Europës. “Është një mesazh me zë të lartë dhe të qartë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian”, tha ai./tvklan.al