Turneun informues mbi votën e emigrantëve, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla e zhvendosi këtë javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

Përpara takimit me shqiptarët në Detroit, Balla u prit nga drejtuesit e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare të shtetit Michigan në SHBA, ku shprehu vlerësimin për angazhimin e tyre në thirrjen për regjistrimin e bashkatdhetarëve, si votues nga jashtë.

“E vlerësoj apelin dhe i jap zë apelit të Federatës Vatra që shqiptarët të marrin pjesë në këto zgjedhje. Të votojnë kë të duan. Vizita ime këtu ndodh për arsye se koha ka qenë shumë e shkurtër dhe një pjesë e shqiptarëve nuk dinë ende që mund të votojnë, ndaj duhet apeli juaj, i krerëve të besimeve këtu, që t’u bëni thirrje të gjithëve të regjistrohen. Koha është shumë e shkurtër deri më 4 mars, ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë të regjistrohen. Duhet të jesh shtetas shqiptar dhe të kesh një dokument identifikimi të Shqipërisë”, tha Taulant Balla.

Balla falenderoi Vatrën për lobimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare, ndërsa foli për investimet e qeverisë në mbështetje të diasporës.

“Informacioni që më dhatë, se 200 mijë bashkatdhetarë jetojnë në këtë shtet, e bën të domosdoshme hapjen e një konsullate të Republikës së Shqipërisë në shtetin e Michigan. Ne kemi tashmë modelin e mirë të hapjes së konsullatave të përbashkëta me Republikën e Kosovës, për të pasur këtu një mundësi që shqiptarët të kenë një degë dhe një zyrë ku të adresojnë problematikat nga më të ndryshmet. Po ashtu, edhe qeveria e Shqipërisë ka filluar të mbështesë edhe një aspekt tjetër të problematikave që ka diaspora, mësimdhënien e gjuhës shqipe”, tha Balla.

Kryetari i Vatrës në Michigan, Mond Rakaj, vlerësoi vizitën e Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla duke theksuar ndihmën që i duhet diasporës për të votuar në këtë moment historik për demokracinë.

Klan News