Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, beson se draft i tij për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për zgjatjen e afateve të dokumenteve të skaduara dhe përfshirjen e partive politike në numërimin e votave të diasporës do të kënaqë edhe Ramën edhe Berishën.

Ndryshimet që KQZ propozon:
1- Pagesa 100% e kostos së zarfave. 

2. Rrishikimin e afateve të regjistrimit për të përfituar 10 ditë më shumë për të përgatitur fletën e votimit për diasporën.

3. Për të numëruar votën e emigrantëve nga partitë sipas kërkesës së demokratëve.

4. Janë 209 mijë votues pa dokument ID të vlefshëm.

“Numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit do të bëhet nga një komision i cili është i përbërë në gjysmën e tij nga përfaqësues të opozitës dhe në gjysmën tjetër nga përfaqësues të pozitës, edhe do të jetë një sekretar teknik i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pa të drejtë vote. Pra do të jenë dy ose tre në përbërje, ky komision, po kështu në këtë mënyrë do të jetë edhe përbërja e grupeve të numërimit, do të përbëhen nga, në mënyrë të balancuar, nga përfaqësues të pozitës dhe të opozitës”, tha Ilirjan Celibashi.     

Kreu i KQZ-së zbuloi se janë 209 mijë votues pa dokument ID të vlefshëm dhe kërkoi që qeveria të zgjasë afatin e dokumenteve të skaduara. Janë 400 mijë shtetas që iu skadon identifikimi elektronik dhe janë 600 mijë shtetas që iu skadon pasaporta.

“Nga pikëpamja teknike, procesi i numërimit do të zhvillohet në një ambient sikurse zhvillohet edhe numërimi i fletëve të votimit brenda vendit. Jo domosdoshmërisht do të jenë ambientet ku ndodhet selia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, po do të jetë një ambient i cili ofron nga pikëpamja teknike dhe hapësirës, mundësi për ta zhvilluar në mënyrë të hapur, transparente procesin e numërimit dhe të vlerësimit të fletëve të votimit. Do të jem dakord me partitë politike, patjetër, për vendndodhjen e vendit të numërimit të fletëve të votimit”, tha Celibashi.       

Ndërkaq, 10,497 regjistrime të shqiptarëve të diasporës janë refuzuar deri më tani nga KQZ, për shkak të gabimeve që ata kanë bërë gjatë regjistrimit të dëshirës për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Klan News