Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka folur për Klan News sa i takon votës së diasporës në zgjedhjet e ardhshme. Në një intervistë për gazetarin Besard Jacaj, ai tha se emigrantët shqiptarë duhet të votojnë pak ditë para qytetarëve në vend.
“Ka shumë modele. Logjikisht do të duhet që vota e atyre që votojnë jashtë territorit të ketë mbërritur në KQZ para orës së mbylljes së votimeve brenda vendit. Ky është një standard që aplikohet dhe në vende të tjera.”
“Votimi elektronik, varianti më i mirë”
Celibashi ritheksoi se votimi elektronik do të ishte varianti më i mirë.
“Ne kemi rekomanduar bazuar në eksperiencën e deritanishme të këtyre projekteve-pilot që të zgjerohet jo më shumë se 6 apo 7 njësi zgjedhore. Nëse partitë politike bien dakord dhe nëse janë mundësitë financiare për ta shtrirë në gjithë territorin, atëherë do duhet të punojmë. Përgatitja e procesit në aspektin teknik, kapaciteteve njerëzore kërkon goxha kohë. Nëse do kemi 4, 5 apo 6 muaj kam frikë se do jetë e pamundur për ta realizuar. Ndaj do ishte e udhës për mendimin tim, që të vendosin sa më shpejt në lidhje me këtë çështje.”
Për atë çfarë ndodhi me pajisjet e identifikimit të zgjedhësve më 14 Maj 2023, ai u shpreh kështu.
“Me votimin elektronik ne nuk kemi pasur asnjë problem me funksionalitetin e pajisjeve. Janë identifikuar probleme me operatorët teknikë. Nuk pati asnjë problem në zgjedhjet e vitit 2021. Gjithsesi masa e problemeve nuk ishte ajo që u prezantua në ditën e votimit. Fakti që pranoj që ka pasur probleme, se përkufizoj si dështim, aq më tepër spektakolar. Duhet të kemi gjithë seriozitetin për ta adresuar atë problem. Në verifikimet paszgjedhore ne pamë natyrën e problemit. Graviteti i atij problemi nuk ishte aq sa u duk. U fol për 500 qendra votimi, po janë rreth 200 e ca.
Kostoja e votimit elektronik, 40 milionë Euro
Sipas tij, kostoja e votimit elektronik brenda e jashtë vendit mund të shkojë deri në 40 milionë euro.
“Minimalisht mund të përdoren për 4, 5 edicione zgjedhore”, përfundoi kreu i KQZ./tvklan.al