Ka përfunduar pas 3 orësh mbledhja e Grupit të Dialogut mazhorancë-opozitë për votën e diasporës.

I pranishëm ishte dhe kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, i cili tha për mediat se propozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është për votim elektronik, pra përmes një platforme online.


“Propozimi kishte dy komponentë, i pari lidhet me procedurat e regjistrimit të votuesve nga jashtë përmes një portali të posaçëm që administrohet nga KQZ. Dhe së dyti, mënyra e votimit dhe dërgimit të fletës së votimit nëpërmjet këtij aplikacioni, këtij sistemi”, deklaroi Celibashi.

Ndërkohë, socialisti Damian Gjiknuri tha se mënyra më optimale është ajo e votimit klasik. Ai theksoi se Posta Shqiptare përmes së cilës mund të dërgohen fletët e votimit ka një sistem të besueshëm.

U konsultuam dhe me ekspertë të instutucioneve të tjera, nëse shkohet drejt votimit elektronik është çështje tjetër. Por në distancë, bëhet pak e vështirë. Varianti më i mundshëm mbetet ai klasik. Çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë vendit, nëpërmjet një sistemi të besueshëm postar do të mund të votojë. Përgjithësisht kërkesat e diasporës kanë qenë për sistemin postar. Opozita gjithmonë kërkon një shtet paralel kur vjen puna te zgjedhjet. Ne i besojmë Postës Shqiptare apo e-Albania. Sistemi i Postës Shqiptare është i besueshëm, megjithatë do ta bisedojmë. Votimi në distancë me platformë, është një gjë që duhet parë. Nëse emigrantët votojnë në mënyrë elektronike, atëherë e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me shqiptarët brenda vendit”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, “metoda e miksuar” përbën diskriminim. Kjo sepse njësoj si emigrantët, mund të ketë mijëra shqiptarë që jetojnë këtu që nuk kanë mundësi të paraqiten në qendrat e votimit.

“Mund të jenë mbi 50 mijë shqiptarë që nuk kanë mundësi të dalin nga shtëpia dhe pse mos të votojnë ata me një sistem elektronik. Elementin e votës në distancë duhet t’ua mundësojmë të gjithëve, nëse e pranon ODIHR-i. Do duhet pak kohë dhe konsultime. Por PS, është me parimin shfrytëzo më të mirën e asaj që ke. Kemi filluar kontaktet me diasporën, na shërbejnë për ngritjen e strukturave në diasporë dhe angazhimin e tyre në votime.“

Kujtojmë se opozita nga ana tjetër ka shprehur kundërshtitë e saj për votën e diasporës përmes postës./tvklan.al