U diagnostikua pak ditë më parë me tumor në kokë, të martën senatori republikan John McCain ishte në sallë për votimin tejet delikat të mocionit për debatin mbi ligjin e ri për shëndetësinë.
Ishte pikërisht vota e tij që barazpeshoi ekuilibrat. Senati u nda më dysh 50 pro 50 kundër. Vota e 51-të që i hapi rrugë debatit për zëvendësimin e Obamacare ishte ajo e zv/presidentit Mike Pence.
Mike Pence (Zv/President i SHBA-ve)
“Po-të janë 50, Jo-të janë 50 dhe senati është i ndarë. Zv/presidenti voton në mbështetje dhe mocioni kalon”.
Në fjalën, John McCain bëri thirrje për bashkim të Seantit dhe rishikim të ligjit që propozon Trump.
John McCain (Senator republikan)
‘Ne Republikanët jemi përpjekur të gjejmë një mënyrë për ta hequr ligjin aktual. Nuk e kemi gjetur ende dhe nuk jam i sigurt nëse do ta gjejmë. Unë votova pro nisjes së debatit, por unë nuk do ta votoj ligjin e ri ashtu siç është ai sot”.
Ligji i ri për shëndetësinë është një nga premtimet kryesore të presidentit Donald Trump, për të cilin Obamacare është një makth. Ligji aktual mbulon me sigurime shëndetësore mbi 20 milionë amerikanë, dhe anulimi i tij ngjall ende dyshime edhe mes republikanëve.
Tv Klan