Nga foltorja e Kuvendit, kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar që të votohet sonte (në seancën e fundit plenare për 2024-ën) rezoluta e dënimit të genocidit serb në Kosovë. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka kërkuar që të ndërpriten punimet dhe ta sjellin në seancë rezolutën.
Sali Berisha: Votoni sonte rezolutën e dënimit të genocidit serb në Kosovë, në mënyrë që të shkoni nesër si përfaqësues të shqiptarëve, dhe jo si ata që nuk njihni krimet e shëmtuara! Meqënëse edhe në mëngjes e ngrita para mediave, tani thashë ta shtroj edhe në parlament. Të ndërprisni menjëherë punimet, të sillni këtu rezolutën për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë, se përndryshe ulja juaj në parlamentin e Kosovës është më e largët si përfaqësues të Shqipërisë dhe më e afërt si përfaqësues të Serbisë.
Sepse, ju keni refuzuar rezolutën. Votoni sonte rezolutën e dënimit të genocidit serb në Kosovë, në mënyrë që të shkoni nesër si përfaqësues të shqiptarëve, dhe jo si ata që nuk njihni krimet e shëmtuara. Unë, po ju them ju këtu, që në librat e gjenocidit ato janë të përshkruara si krimet më të padëgjuara ndonjëherë në histori, dhe ju e hidhni poshtë këtë. Prandaj, zonjë, çfarë të të them unë ty. Merr, silleni rezolutën ta votoni. Të votoni një ndjesë publike për sanksionet që i vutë Kosovës të parët në Europë.
Të votoni një ndjesë publike për ndalimin që i bëtë himnit për Adem Jasharin “Mora fjalë”, dhe u fsheh pastaj se zëvendësuan me një këngë shumë të bukur, nuk e mohoj, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, për Shqipërinë, por nuk zëvendësohej se, ajo e zuri vendin. Shkurte Fejzën e ftuan, ishte në stadium dhe tani u erdhi telefoni i kuq nga Beogradi dhe e hiqni ju atë. Si do shkoni ju atje? Hidhe në votë propozimin tim. Moj zonjë, hidhe në votë propozimin tim, kaq. Jeni dakord, të ndërpresim seancën dhe të sjellim rezolutën, apo s’jeni dakord? Këtë kërkoj unë!
Fjalën e kryedemokratit Berisha, kryeparlamentarja Elisa Spiropali e ka cilësuar si “provokim” teksa ka risjellë në vëmendje mbledhjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë që do të mbahet ditën e nesërme.
Elisa Spiropali: Ne jemi të ftuar për mbledhjen e përbashkët. Jemi të nderuar që do të jemi aty, ku do të mbahen dhe fjalët përkatëse dhe këto provokime janë krejt të pavend. Këtë përdorim të papërshtatshëm të këtij momenti ku edhe nesër do të dalim me një deklaratë të përbashkët. Lërjani Kuvendit që të zhvillohet pa përdorimin politik të ditës. Nuk është ky vendi sot për të bërë politikën për këtë çështje.
Më tej, e ka marrë fjalën ministri Taulant Balla, i cili ka thënë se PS ka denoncuar dhe ka bërë gjithçka në mbrojtje të së drejtës së shqiptarëve të Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Balla ka akuzuar Berishën duke thënë se sipas tij “kanë arrestuar Adem Jasharin në Tiranë”.
Taulant Balla: Kemi denoncuar dhe kemi bërë gjithçka në mbrojtje të të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për shtetformim. Kemi mbështetur në vitin 2007, 2008 dhe kemi mbështetur vendimmarrjet e këtij Kuvendi, por mos harroni asnjëherë se në 25 Janar 2011, kanë qenë përfaqësuesit e PD në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës që bashkuan votat me propozimin e Rusisë për atë që pasoi që ishte një përpjekje e poshtër për të hedhur baltë në Luftën Çlirimitare. Ju nuk keni qenë në krahun e duhur të historisë. Nesër zhvillohet mbledhja e përbashkët mes të 2 vendeve. Adem Jasharin e keni arrestuar ju këtu në Tiranë dhe sa i përket asaj dhembshurisë që e paska zënë njërin që do të marrë like në FB për këngën e Naim Gjoshit dhe është interpretuar shumë bukur nga Shkurte Fejza, por kënga as ka thënë ndokush që është ndaluar dhe i kam thënë Shkurtes që “të mos i besojë gojët e liga se është e pavërtetë”.
Akuzave të Ballës për arrestimin e Adem Jasharit në Tiranë, Berisha ju është përgjigjur duke e cilësuar “trillim serbo-shqiptar të trupshëm”.
Sali Berisha: Arrestimi i Adem Jasharit është një trillim serbo-shqiptar i turpshëm. Ata të cilët e hapën këtë shpifje, e morën në Beograd dhe e sollën në Tiranë. Rezolutën votojeni sonte që të hiqni atë njollë të tmerrshme dhe të zezë që rëndon mbi ju.
/tvklan.al