Personi që shihni në këtë foto është Flodian Plaku, i cili është shpallur në kërkim si një nga ekzekutorët e Gentjan Bejtjes, në mars të këtij viti në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës. Autori i dyshuar, i cili është nga Vlora, njihet dhe me dy mbiemrat e tjerë Serjani dhe Mamo.
41-vjeçari, i arrestuar 5 vite më parë për trafik droge dyshohet se fshihet në Spanjë dhe për këtë arsye autoritetet shqiptare nëpërmjet INTERPOL i kanë dërguar të dhëna homologëve për lokalizimin e tij të mundshëm. Identifikimi tij u bë përmes një analize ADN-je, në makinën tip Golf 7 që u sekuestrua pas ngjarjes, teksa po çohej në lavazh për t’u larë nga Edison Haxhiu. Ky mjet u përdor për t’u larguar nga fshati Hasan drejt fshatit Bubq, pasi autorët dogjën mjetin Land Rover të cilin e përdorën për të kryer ekzekutimin e Bejtjes.
Për këtë ngjarje të arrestuar deri më tani janë arrestuar Edison Haxhiu dhe Ilir Beqiraj alias Brahimi, të cilët ndodhen në qeli.
Para se Flodian Plaku të shpallej në kërkim policia sekuestroi disa dokumente në një agjenci udhëtimesh në Lezhë. Aty sipas policisë është provuar se Roan Brahimi, i cili u vra pak kohë më parë në Greqi, ka prerë bileta avioni për Flodian Plakun dhe persona të tjerë të skeduar si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.
Sektori për hetimin e krimeve të rënda në policinë e Tiranës dyshon se urdhri për vrasjen e Gentian Bejtjes të jetë dhënë nga Dubai, nga persona ende të paidentifikuar.
Klan News