Një 41-vjeçar nga Vlora është identifikuar si një nga ekzekutorët e Gentjan Bejtjes, ngjarje e ndodhur në Mars të këtij viti. Për këtë arsye, policia njoftoi se ka shpallur në kërkim Flodian Plakun, i dyshuar për dy vepra penale, “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Policia ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg që në Korrik, por Plaku nuk është mundur të kapet.

“Shërbimet e DVP Tiranë, të mbështetura në fazën operacionale nga shërbimet e DVP Vlorë, kanë ushtruar kontrolle për lokalizimin e shtetasit Flodian Plaku, alias Flodian Serjani, alias Flodian Mamo, 41 vjeç, dhe vijon puna për kapjen e këtij shtetasi i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar”, njoftoi policia.

Po ashtu, autoritetet njoftojnë se në kuadër të hetimeve kanë ushtruar kontroll edhe në ambientet e një agjencie udhëtimesh në qytetin e Lezhës. Ata kanë sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente me vlerë, që sipas tyre, do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.

Kujtojmë se në lidhje me vrasjen e Gentjan Bejtjes janë arrestuar më herët Edison Haxhiu (për sigurim kushtesh për vrasje) dhe Ilir Beqaraj. Për Beqarajn, i cili përdor edhe dy emra të tjerë është rikualifikuar vepra penale. Atij i është shtuar vepra penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vlerësim të provave dhe fakteve të administruara, ka bërë rikualifikimin e veprës penale në ngarkim të shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe përveç veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 186 dhe 278/1 të Kodit Penal, këtij shtetasi i është shtuar vepra penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 22 të Kodit Penal”, njoftoi policia.

Ndërkohë po vijojnë hetimet për të identifikuar personat e tjerë që kanë marrë pjesë në vrasjen e Gentjan Bejtjes.

Grupi hetimor ka dyshime që urdhëri i vrasjes është dhënë nga Dubai ku vijojnë vijojnë hetimet me autoritetet e huaja.

Vrasja e Gentjan Bejtjas, foto nga vendi i ngjarjes

DINAMIKA E VRASJES SË GENTJAN BEJTJES

Gentjan Bejtja u vra më 15 Mars 2024 në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushkë të Krujës. Autorët iu afruan tek shtëpia me një makinë “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë. Pasi ekzekutuan 42-vjeçarin me breshëri, ata u larguan në aksin rrugor Larushkë-Thumanë. Pas  kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin me të cilën kryen krimin.

Më pas është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme. Ata kanë ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq.

Më pas autoritetet kanë identifikuar makinën “Golf” e cila është në pronësi të Edison Haxhiut, i arrestuar ndërkohë për ngjarjen. Po ashtu ka rezultuar se automjeti është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.

Shtëpia e Gentjan Bejtjas
Shtëpia e Gentjan Bejtjas

“Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu dhe shoqërimin në ambjentet e Policisë. Gjithashtu, në vazhdim të veprimeve hetimore, po në këtë datë u bë i mundur shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari”, njoftoi policia.

Në banesën e Beqarajt policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Walther” me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e Ilir Beqarajt, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Beqarajt dhe 3 aparate celulare.

Pas kësaj ai u vu në pranga për armëmbajtje pa leje dhe falsifikim dokumentesh. Mirëpo pas hetimeve është rikualifikuar vepra e tij penale ku akuzohet edhe për vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim.

42-vjeçari Bejtja ndodhej brenda në serë bashkë me bashkëshorten dhe njërin prej djemve kur u vra. Dyshimet e para janë që ai i ka parë autorët (Lexo më shumë).

Bejtja ka tentuar të largohet pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur shenja gjaku deri në pjesën e pasme.

BEJTJA U SHPËTOI 3 ATENTATEVE, I KATËRTI I MORI JETËN

42-vjeçari i kishte shpëtuar 3 atentateve të ndryshme. Më datë 4 Korrik të vitit 2023 atij iu bë një atentat, jashtë ambienteve të banesës. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan L. Sino 29 vjeç, dhe u plagosën dy djemtë e Gentjan Bejtjas, A.Bejtja 13 vjeç dhe djali tjetër 10 vjeç (Lexo më shumë).

Më 9 Janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.

Gentjan Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në Shtator të vitit 2016 kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë (Lexo më shumë).

Për atentatin e ndodhur më datë 4 Korrik të vitit 2023 policia dyshoi tek Valter Bami, ish-miku i viktimës për të cilin me gjithë kërkimet u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Ky i fundit, i cili u shoqërua edhe pas vrasjes së të premtes, qëndroi në burg për 6 muaj dhe u la i lirë me arrest shtëpie më datë 18 Janar 2024 (Lexo më shumë)./tvklan.al