Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar ka kërkuar dënimin me 35 vite burg për Jemin Sherën, i cili dyshohet si organizator i vrasjes së Behar Sofias.

Ai vijon të jetë në kërkim nga forcat e policisë, ndërsa dyshohet se ndodhet jashtë vendit.

SPAK tha se nga hetimet, ka rezultuar se Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen, ka krijuar grupin kriminal.

Pjesëtarët e grupit e kanë vëzhguar shënjestrën e tyre për gjashtë muaj më radhë deri në momentin kur e ekzekutuan mëngjesin e 25 Shkurtit të vitit 2021, në afërsi të Piramidës në Tiranë.

127 vite burg ka dhënë Gjykata e Posaçme për 5 të dyshuarit për organizimin dhe vrasjen e Behar Sofisë. Xhuliano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leza janë dënuar me nga 30 vite burg për ngjarjen, ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë që është edhe ekzekutori i Sofisë, Ernejt Shyti është dënuar me 7 vite heqje lirie. Ai u arrestua në Malin e Zi teksa ishte duke punuar.

Policia dyshon se shkak i kësaj vrasje janë bërë prishjet e pazarave të drogës.

Klan News