Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy vëllezërit Dukaj që akuzohen për vrasjen e biznesmenit Eduart Reci, ngjarje e ndodhur në 13 nëntor. Para trupit gjykuese, ata mohuan se janë autorët e këtij krimi. Por pavarësisht këtij qendrimi, u vendos që të hetohen nën masën e arresit në burg.

Klan News ka siguruar videon e momentit të vrasjes së biznesmenit. Siç shihet në këto pamje, ai ka qenë duke folur në telefon në momentin që është qëlluar.

Shkëlqim Duka dyshohet se është autori ndërsa vëllai i tij ka bashkëpunuar për këtë krim. Për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, policia siguroi prova të rëndësishme për të akuzuarit si autorë, Florian dhe Shkëlqim Duka, ky i fundit oficer i policisë gjyqësore në Tiranë.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se ata e kanë ruajtur biznesmenin 5 ditë para se të kryenin krimin. Gjatë ditës së ngjarjes, oficeri i policisë, Shkëlqim Duka ka qëndruar në zonë që prej orës 19:00 deri në orën 23:00 kur ndodhi edhe vrasja. Nga këqyrja e pamjeve, ka rezultuar se ai ka qëndruar i fshehur në këto shkallë të emergjencës së një hoteli pranë vendit të krimit.

Hetuesit kishin marrë informacion në rrugë operative se biznesmeni Reçi kishte konflikte pronësie me dy vëllezërit.

Sipas policisë, shkak për vrasjen është bërë një konflikt që ai kishte me dy vëllezërit, sa i përket pronësisë së një trualli në të cilin biznesmeni do të ndërtonte një pallat.

Klan News